Krerët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë thirrje autoriteteve shqiptare: Qytetarët të votojnë të lirë nga frikësimi dhe dhuna

22/04/2021 20:39

Krerët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan u bënë thirrje autoriteteve në Shqipëri që të sigurojnë një mjedis zgjedhor pa frikësim dhe dhunë gjatë votimeve të së dielës në Shqipëri.

Jim Risch, numri dy i komisionit dhe Bob Menendez, kryetar i tij, thanë në një deklaratë se: “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare të 25 prillit, ne inkurajojmë popullin shqiptar të marrë pjesë në votime. Ne i nxisim autoritetet të sigurojnë që votuesit të jenë në gjendje të ushtrojnë këtë të drejtë themelore të lirë nga frikësimi dhe dhuna.”

Në deklaratë thuhet gjithashtu: “Ne presim që të gjithë kandidatët të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme”.

“Miqtë e Shqipërisë në Amerikë, thuhet në deklaratë, janë më të përkushtuar se kurrë për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të begatë për popullin shqiptar”.

Top Channel