5 ditë para 25 prillit një vrasje për shkak të zgjedhjeve ndodhi në Elbasan, zonën më të nxehtë deri më tani.
Viktima është Pjerin Xhuvani, një eksponent i njohur, dikur i përfshirë me LSI dhe së fundmi i aktivizuar me fushatën e socialistëve. Ai u qëllua me armë zjarri nga shtetasi Arbër Papleka, shoqëruesi i drejtuesit të fushatës elektorale në Elbasan të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Për pasojë nga plumbat janë plagosur katër persona, mes tyre edhe një punonjëse e policisë.
Vazhdon të mbetet mister se kush ka qëlluar i pari. 12 persona nga PD dhe PS ndodhen në polici për të dhënë dëshminë e tyre rreth kësaj ngjarje. Në Elbasan kanë mbërritur edhe ekspertë të krimeve të rënda dhe dosjes i janë bashkëngjitur dy prokurorë për të hetuar çështjen dhe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes. Policia vazhdon ta konsiderojë një vendngjarje, për shkak të administratimit të disa kamerave të sigurisë.
Kjo është tema për të cilën po flitet sot në emisionin “Open” në Top Channel.
Gazetari ynë Andi Bora ndodhej në spitalin e Traumës në Tiranë dhe në një lidhje live për “Open” ka folur për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
“Kemi katër të plagosur, dy prej tyre menjëherë pasditen pas ndihmës së parë mjekësore në Elbasan u sollën me emergjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.Gjendja e tyre është e stabilizuar, janë jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre ka marrë plumb në kokë ndërsa tjetri plumb në bark dhe në pjesën e krahut. Bodinaku i cili pati plagët më të rënda nga kjo përplasje ende nuk ka ardhur në spitalin e Traumës pasi i është nënshtruar një operacioni në spitalin e Elbasanit. Efektivja ka marrë vetëm një plumb në këmbë dhe është trajtuar në spitalin e Elbasanit. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën por duhet parë në orët në vazhdim”, u shpreh gazetari Andi Bora.
Top Channel