“Mund të vaksinohemi çdo vit”- CEO i Pfizer: Qytetarëve mund t’i duhet edhe një dozë e tretë për t’u mbrojtur nga covid

16/04/2021 09:25

“Është e mundur që qytetarët do të duhet të vaksinohen me një dozë të tretë brenda 12 muajve nga e dyta”, tha CEO i Pfizer, Albert Burla, ndërsa shtoi se vaksinimi kundër covid-it të ri me siguri mund të bëhet çdo vit.

Më tej ai shtoi se: “Një skenar është mundësia e një doze të tretë, diku pas gjashtë ose 12 muajsh pas marrjes së dozës së dytë, por e gjithë kjo duhet të konfirmohet. Përsëri mutacionet do të luajnë një rol kryesor në vijueshmërinë dhe vendimet që do të merren për pandeminë.” 

Sidoqoftë, CEO i Johnson & Johnson Alex Gorski, në shkurt ka deklaruar se njerëzit mund të kenë nevojë të vaksinohen kundër covid-19 çdo vit, siç është edhe ajo e gripit.

Studiuesit ende nuk e dinë se sa zgjat mbrojtja ndaj virusit kur një qytetar i merr të dyja dozat e vaksinës, shkruajnë mediet e huaja. 

Pfizer tha në fillim të këtij muaji se vaksina ishte më shumë se 91% efektive në mbrojtjen kundër koronavirusit dhe më shumë se 95% efektive kundër mundësisë së sëmundjes serioze deri në gjashtë muaj pas dozës së dytë.

Vaksina Moderna, e cila përdor teknologji të ngjashme me Pfizer, gjithashtu është treguar e efektshme për gjashtë muaj.

Në shkurt, Pfizer dhe BioNTech thanë se po testonin një dozë të tretë të vaksinës për të kuptuar më mirë përgjigjen imune ndaj llojeve të reja të virusit.

Në fund të muajit të kaluar, Institutet Kombëtare të Shëndetit filluan testimin e një vaksine të re Covid nga Moderna e krijuar për t’u mbrojtur nga mutacioni i Afrikës së Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA