Marina franceze ka shpëtuar 84 persona që ishin në bordin e katër anijeve, të cilat të shtunën tentuan që të arrinin në Mbretërinë e Bashkuar përmes brigjeve veriore të Francës.
Një anije e marinës së Francës tha se shpëtoi 11 migrantë në afërsi të qytetit bregdetar le Touquet dhe po ashtu shpëtoi edhe 24 migrantë të tjerë, përfshirë pesë fëmijë, që po udhëtonin me një varkë tjetër.
Po ashtu, marina franceze tha se edhe në dy raste të tjera shpëtoi 49 persona të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Që prej fundit të vitit 2018, është rritur numri i kalimeve ilegale të migrantëve përmes ujërave franceze për në Britani. Rruga që zgjedhin migrantët për të kaluar nga Franca në Britani është e rrezikshme për shkak se aty kalojnë anije të mëdha që barti mallra, por edhe temperaturat e ujit janë shumë të ulëta.
Vetëm gjatë vitit 2020, autoritetet kanë regjistruar rreth 9.500 tentime për kalime ilegale, shifër që paraqet rritje për katër herë krahasuar me vitin 2019./REL
Top Channel