Italia këtë fundjavë është e gjitha në izolim. I gjithë vendi është nën kufizime si ato të zonës së kuqe ndërsa po kalon pashkët e dyta të mbyllura. Edhe Papa do ta japë mesazhin e tij tradicional të Pashkës në një shesh të zbrazët.
Italia ka hyrë në një izolim strikt tre ditor në përpjekje për të penguar rritjen e rasteve të koronavirusit gjatë Pashkës. Të gjitha rajonet tani janë zonë e kuqe, zona me kufizimet më të ashpra, ndërsa vendi përballet me valën e tretë të pandemisë me rreth 20 mijë raste të reja në ditë.
Lëvizjet jo të domosdoshme janë të ndaluara, por njerëzit lejohen të ndajnë drekën e Pashkës në shtëpi me dy të rritur të tjerë. Kishat, po ashtu janë të hapura, por besimtarëve iu është thënë të marrin pjesë në mesha brenda rajoneve të tyre. Për vitin e dytë të radhës, Papa Francesku do të mbajë mesazhin e tij të Pashkës në një sheshin e zbrazur të Shën Pjetrit.
Pas fundjavës së pushimeve, rajone të ndryshme do të mbeten në zonë të kuqe apo portokalli, deri në fund të muajit. Kufizimet në Itali vijnë ndërsa vendet e Evropës po përpiqen të kontrollojnë rritjen e rasteve të koronavirusit ndërkohë që përballen edhe me një imunizim të ngadaltë.
Më shumë se 110.328 persona në total kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Itali, dhe ka pasur 3.6 milionë infektime të konfirmuara. Vetëm një vit, pasi Italia u bë vendi i parë perëndimor që u godit nga pandemia e koronavirusit, vendi tani përballet me një valë të tretë dhe një Pashkë të dytë në izolim.
Top Channel