Pas manovrës guximtare, makina e karabinierëve italianë përfundon vertikalisht mes pemëve (fotot)

27/03/2021 17:19

Një manovër e gabuar pilotimi ka bërë që makina e shërbimit të karabinierëve në Itali të përfundojë e ngulur vertikalisht mes dy pemëve.

Ngjarja qesharake e ndodhur disa javë më parë, është publikuar vetëm së fundmi nga organet e rendit dhe shpejt është kthyer në burim zbavitjeje në rrjetet sociale italiane.

Aksidenti i rrallë ndodhi në Camaldoli,  në rajonin qendror të Arezzo, brenda parkut kombëtar të pyjeve Casentinesi.

Makina e tipit fuoristradë Subaru, ishte larguar menjëherë nga vendi i rrëzimit të sikletshëm, por kjo nuk ndaloi që në rrjetet sociale si Facebook të bëhej objekt humori.

«Kërkues kërpudhash në Toscana», shkruanin disa nga komentuesit, ndërsa të tjerë hidhnin dyshime mbi vetë foton, duke thënë se është e montuar, prej pozicioni të çuditshëm të ngecjes së mjetit.

Autoritetet nuk treguan nëse kishte të lënduar në incident.

FOTO GALERI
2/3
Ngjarja qesharake e ndodhur disa javë më parë është publikuar vetëm së fundmi nga organet e rendit

Top Channel