I dyshuari për atentatin mafioz ndaj Shkëlzen Kastratit, në Fier u la në burg nga gjykata.
Albert Zaja, gjatë seancës, sot në Gjykatën e Fierit deklaroi se ka qenë në Vlorë ditët që ndodhi ngjarja. 37-vjeçari pranon se ka dijeni për faktin se përse është ndaluar por nuk pranon se është autor i vrasjes. Ai ka kërkuar të mbahet në një burg të sigurisë së lartë pasi ndihet i rrezikuar për jetën.
Albert Zaja dyshohet se është personi që ka qëlluar me dy plumba më 1 shkurt në Sheq të Fierit Shkëlzen Kastratin brenda makinës së tij . Ai u kap më 21 mars nga forcat RENEA në fshatin Larushk të Krujës ndërsa tre persona e të tjerë janë ende në kërkim: Elmir Tufa, Elson Xhecuka, dhe Roland Cara. Gjatë atentatit në rretthrotullimin në hyrje të Fierit, viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në By-passin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip ‘Range Rover’ .
Albert Zajen me vrasjen e lidh mjeti ‘Audi’ që u gjet në Thumanë, me të cilin janë larguar autorët pas diegjes së fuoristradës në Baltez. Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet se është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një person nga Patosi.
Top Channel