Greqia po detyron mjekët privatë të angazhohen në luftën kundër koronavirusit.
Masa do të përfshijë 206 doktorë nën moshën 60 vjeç, të cilët do të angazhohen për të paktën një muaj në mënyrë që të zbusin sadopak peshën e kolegëve të tyre në rajonin më të populluar të Greqisë.
Mjekët në spitalet greke thonë se çdo ditë situata përkeqësohet akoma më shumë. “Ajo që parashikojmë për ditët në vijim, do të jetë akoma më e rëndë, ç’ka do të thotë se ne duhet të bëjmë shumë shumë përpjekje. Këtë mëngjes në Sotiria, nuk kishim më asnjë shtrat të lirë në terapi intensive dhe po flasim këtu për spitalin me kapacitetet më të mëdha në Greqi”, tha Kostandinos Syrigos, drejtor i spitalit Sotiria.
Dhe ky është një ekuacion i vështirë: kapacitetet e spitaleve publike të ezauruara tashmë, në njërën anë, dhe në anën tjetër, njerëzit e lodhur me masat kufizuese që zgjasin prej një viti. Në përpjekje për të lehtësuar situatën, qeveria greke vendosi të rihapë parukeritë, parqet dhe sitet arkeologjike. Por kjo e ka futur Greqinë në një paradoks. Kur vendi hyri në një izolim të dytë në 7 nëntor, spitalet duhej të prisnin një numër shumë më të ulët pacientësh ndërkohë që tani, numri i personave në intubim, ka shënuar rekord. Për të pasur një panoramë më të qartë të situatës, qeveria tha se çdo qytetar do të mund të testohet një herë në javë në shtëpi apo në farmaci.
Greqia është në një pikë kthese, vetëm pak javë para fillimit të planifikuar të sezonit turistik. Fushata e vaksinimit vazhdon ndërkohë që hapja e aktiviteteve po e bën vendi të shpresojë se ka hyrë në rrugën drejt normalitetit.
Top Channel