Rama: Ulim taksat në mandatin e tretë/ Zero tatim për pagat deri në 40 mijë lekë, zero TVSH për bizneset e vogla

15/03/2021 15:08

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin ekonomik për mandatin qeverisës 2021-2025.

Por, çfarë përmban oferta e PS? Rritje pagash, ndryshime në taksën progresive për pagat dhe biznes i vogël pa taksa, janë këto shtyllat kryesore të platformës së Partisë Socialiste.

Në rast e mozhoranca aktuale rikonfirmohet në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit, asnjë pagë nuk do të jetë nën 40 mijë lekë deri në fund të 2025.

Është ky zotimi i socialistëve për pagën minimale, ndërsa premton ndër të tjera edhe një rritje të pagës mesatare deri në 85 mijë lekë në fund të mandatit.

“Plani ynë është që ta rrisim atë çdo vit dhe të arrijmë pa diskutim në 380 mijë por duke synuar në 400 mijë në mbyllje të mandatit të tretë. E kemi rritur pagën mesatare të gjithë punonjësve të administratës nga 580 mijë në 720 mijë lekë. Do ta rrisim më tej në mandatin e tretë në 850 mijë lekë në muaj”, u shpreh Rama.

Partia Socialiste vjen me ndryshime në taksat mbi punën në mandatin e tretë me rishikim të taksës progresive, duke zeruar atë për individët me pagë deri në 40 mijë lekë, duke ulur tatimin për atë nga 40 mijë deri në 250 mijë lekë dhe për ato paga mbi këtë kufi tatimi bëhet 23%.

“Duke nisur nga 1 janari 2022, ne do ta heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lekë për sektorin publik dhe privat, do ta ulim tatim fitimin për ata që marrin deri në 2.5 milionë lekë në muaj”, tha Rama.

Në 4–vjeçarin e ardhshëm, PS premton rritje të mëtejshme të pagave për arsimtarët, bluzat e bardha e administratën, e zotohet për të kundërtën, pra 0 rritje pagash për deputetët e ministrat deri më 2025.

“Në mandatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten edhe 40% më shumë, po kaq edhe ato për bluzat e bardha, 30% do të rriten edhe pagat e punonjësve të administratës. Ndërkohë që pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve as janë rritur që nga 2013 dhe as do rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025”, tha Rama.

Ndërsa për taksat e bizneseve të vogla nuk parashikohen ndryshime, pasi edhe në mandatin e ardhshëm të PS-së tatim fitimi dhe TVSH do të jetë zero. Risi do të jetë shlyerja e TVSH-së, që pritet të bëhet në mënyrë automatike.

“Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë të mbështesim edhe më tej biznesin. Prej 1 janarit të këtij viti 90% e bizneseve shqiptare do të paguajnë 0 teksa dhe vizitat e tatimorëve do të jenë një e shkuar për biznesin e vogël. Prej 1 janarit 2023 rimbursimi i TVSH do të bëhet automatik. Do bashkojmë apelin tatimor dhe doganor në një dritare të vetme”, u shpreh Anila Denaj.

Por, ndryshimet në paga e në taksa nuk janë të vetmet risi të programit të PS, pasi në ditët në vijim përfaqësuesit e mazhorancës do të shpalosin e platformat për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA