Kryebashkiaku i New York-ut kërkon dorëheqjen e guvernatorit Cuomo

12/03/2021 18:02

Kryebashkiaku i qytetit të New York-ut, Bill de Blasio, i kërkoi guvernatorit të shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo, të japë dorëheqje për shkak të akuzave për ngacmime seksuale.

Cuomo është nën hetime, pasi gjashtë gra e akuzuan atë për sjellje të papërshtatshme. De Blasio tha se dëshmitë e grave janë “absolutisht të papranueshme”. Njëra prej tyre, Lindsey Boylan, ish-ndihmëse e lartë e Cuomos, ka thënë se guvernatori e ka prekur atë pa pëlqimin e saj. Ish-ndihmësja tjetër, Charlotte Bennett, ka thënë se guvernatori i ka bërë shpesh pyetje personale, që, sipas saj, ishin përpjekje e qartë për marrëdhënie seksuale. “Është e neveritshme për mua dhe ai nuk mund të shërbejë më si guvernator”, tha de Blasio. Cuomo i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke thënë se “nuk ka bërë kurrë gjëra të tilla”.

Guvernatori demokrat ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, me gjithë thirrjet nga partia e tij që ta bëjë një gjë të tillë. Cuomo, mandati i të cilit përfundon në vitin 2022, është vlerësuar vitin e kaluar për trajtimin e pandemisë së koronavirusit në shtetin e tij. Megjithatë, këtë vit është akuzuar për fshehjen e shkallës së vdekjeve nga koronavirusi në shtëpitë e pleqve në New York.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA