Po transportonin 27 emigrantë të paligjshëm, prangosen 3 të rinj në Korçë! Në kërkim 1 tjetër

07/03/2021 09:59

Policia e Korçës ka vënë nën pranga 3 shtetas, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, të cilët janë kapur duke transportuar 27 emigrantë të paligjshëm, si dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Forcat Operacionale “Shqiponjat” në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve M. Gj., 28 vjeç, banues në Tiranë; K. P., 23 vjeç., banues në Kamëz, Tiranë; B. L., 28 vjeç, banues në Tiranë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi A. M., 22 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Forcat e policisë të Komisariatit Devoll, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se me një mjet tip furgon “Volkswagen Crafter”, disa shtetas po transportonin në drejtim të Tiranës emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar shërbimet dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e mjetit pranë fshatit Poloskë, Devoll.

Gjatë ndjekjes, drejtuesit të këtij mjeti i është bërë me shenjë të ndalonte, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka braktisur mjetin, brenda të cilit u gjetën 27 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi për në vendet e BE-së.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se dy shtetasit M. Gj. dhe K. P., (të arrestuar) ishin në rolin e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa shtetasit B. L. (i arrestuar) dhe A. M. (i shpallur në kërkim) ishin në rolin e transportuesve të shtetasve të huaj.

Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit A. M.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA