Mbi 1 milion raste të reja në javë, rritet frikshëm numri i infeksioneve me COVID në Europë

04/03/2021 18:19

Rastet e infektimeve me koronavirus në Evropë u rritën 9% gjatë kësaj jave, duke i dhënë fund një periudhe përmirësimi që nga fundi i janarit. Duke njoftuar keqësimin e situatës, shefi për Evropën pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se vendet evropiane duhet të rikthehen tek praktikat bazë.

Dr. Hans Kluge tha se në rajon ishin regjistruar mbi 1 milionë raste të reja vetëm gjatë javës së fundit. Shtimi i ritmeve të infektimit, sipas specialistit, është më i dukshëm në Evropën Qendrore e Lindore, por rritje ka pasur edhe në pjesën perëndimore të kontinentit.

Më shumë se gjysma e rajonit po përjeton shtim të ritmeve të përhapjes së sëmundjes, tha ai.

“Më shumë se një vit pas shfaqjes së pandemisë, sistemet tona shëndetësore nuk duhet të ishin në këtë gjendje,” tha zoti Kluge.

Situata kërkon një vëmendje më të madhe ndaj protokolleve bazë, shtoi zyrtari, duke nënvizuar rëndësinë e masave për të parandaluar shfaqjen e varianteve të reja, shtimin e testimeve, izolimin e të infektuarve dhe përpjekje për të përshpejtuar vaksinimet.

Gjermania njoftoi se po zgjat masat kufizuese për tre javë të tjera, deri më 28 mars, por ka lehtësuar disa kufizime për të mundësuar rihapjen e dyqaneve dhe bizneseve jo-esenciale në rajone ku shifrat e infektimeve kanë qenë më të ulëta.

Ndërkaq, Agjencia Evropiane për Mjekësinë tha se ka filluar të analizojë vaksinën e prodhuar nga rusët, Sputnik V, disa muaj pasi kjo vaksinë u hodh në përdorim në Rusi dhe pasi është miratuar ndërkohë në një numër vendesh që po e përdorin për imunizimin e popullatës.

Në një deklaratë të enjten, rregullatorët evropianë thanë se analiza e tyre bazohet në të dhënat e mbledhura nga studimet laboratorike me të rritur, që tregojnë se vaksina mund të jetë e efektshme në luftimin e virusit.

Megjithë skepticizmin pas një prezantimi të ngutshëm të vaksinës pa bërë prova në shkallë të gjerë, duket se Sputnik V është e suksesshme dhe nuk shkakton efekte shqetësuese. Sipas një studimi të botuar në revistën shkencore Lancet, Sputnik V ishte afro 91% efektive për parandalimin e rasteve të rënda të COVID-19.

Në Britani dhe disa vende të tjera, ku sistemi shëndetësor po përballet me variantin britanik të koronavirusit, autoritetet kanë njoftuar rregullore të reja për të përshpejtuar modifikimin e vaksinave ekzistuese për t’iu përgjigjur mutacioneve.

Rregulloret e reja bazohen në praktikat që ndiqen për të modifikuar çdo vit vaksinën kundër gripit në varësi të varianteve të reja sezonale./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA