Ministri Ahmetaj ndodhej në kantierin e lagjes së re “5 Maji” për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve.
Ahmetaj u shpreh se është bërë një punë kolosale dhe për 14 muaj do të jetë një nga qendrat urbane, ekonomike, sociale më moderne në Shqipëri dhe një qendër e dytë e Kryeqytetit.
“Po diskutojmë për ecurinë e punës, për një muaj këtu është bërë një punë kolosale për qytetarët në 14 muaj këtu do të jetë një qytet i ri, i bashkuar edhe me Bulevardin e ri, një nga qendrat urbane ekonomike sociale më moderne në Shqipëri dhe një qendër e dytë e kryeqytetit. Puna po ecën me shpejtësi, tani kemi filluar me programin e pallateve në Tiranë, këtu tek “5 Maji”, në Kombinat po ashtu, pra në të gjithë territorin. Rindërtimi sot është një proces i avancuar dhe një shenjë shumë e madhe e besimit që kanë qytetarët te qeveria. Premtuam që nuk do të lemë asnjë vetëm dhe mbrapa, po rindërtojmë të gjithë zonat e dëmtuara nga tërmeti”, u shpreh Ahmetaj.
Në këtë zonë do të ketë 3500 apartamente për 11 mijë banorë, 5 objekte publike ndër të cilat edhe godina e përbashkët e tatime-doganave, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale dhe qendra e IT “Network 42”.
Ndërkohë qytetarët që do të shpronësohen me shkëmbim, do të marrin 100% të metrave katrorë që kanë sot në një pallat, në një kuartier me ndërtim shumë herë më të mirë, më të fortë dhe më të bukur.
Top Channel