Kryeministri Edi Rama ka uruar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet në Kosovë.

Rama uron që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet me një kapitull të ri me qeveri të qëndryeshme.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën,me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”, shkroi Rama në Twitter.

Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar rreth 99 përqind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime. Në ueb faqen e KQZ-së janë transmetuar rezultatet, ku tregohet se kanë mbetur pa u procesuar vetëm edhe 46 vendvotime.

Sipas këtyre rezultateve Vetëvendosje në krye me Albin Kurti që njëherazi është edhe kandidati për kryeministër po prinë me 48, 17 përqind. Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35 përqind. Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherazi ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje të përkohshme parlamentare për të cilat u votua të dielën, pra më 14 shkurt. Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka 13, 18 përqind. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7,42 përqind dhe Nisma me 2,59 përqind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për media tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës.

Top Channel