Një 23-vjeçar palestinez është arrestuar pasi goditi me thikë një person me qëllim që t’i vidhte mjetin taksi me të cilin po udhëtonte nga Tirana drejt Durrësit.
Policia e Durrësit ka arrestuar edhe një 21-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim sepse kishte këmbyer 900 dollarë të falsifikuara.
Ndërsa një 32 vjeçar u arrestua sepse ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Edhe dy të rinj janë vënë në pranga sepse dyshohet që vodhën materiale në një kompani telefonike dhe vegla pune në një banesë në Krujë. Pjesë e grupit të tyre ishte një 17-vjeçar, i cili u procedua penalisht, ndërsa dy të rinj të tjerë janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur tentativë, shtetasin palestinez M. B., 23 vjeç, pasi në datën 13.02.2021, në Fllakë, Shijak, ka goditur me mjet prerës (thikë) në dorë, shtetasin D. M., 40 vjeç, banues në Tiranë, me qëllim për t’i vjedhur mjetin taksi me të cilin po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Durrësit.
—
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 21 vjeç, banues në Selitë, Tiranë, pasi në datën 12.01.2021, në një pikë për transferta parash në lagjen nr. 1, Durrës, ka këmbyer 900 dollarë të dyshuara si të falsifikuara.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ndaluan me iniciativë shtetasit F. Z., 20 vjeç dhe O. B., 19 vjeç, banues në Fushë Krujë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi i mitur I. R., 17 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit L. B., 22 vjeç, H. X., 28 vjeç dhe D. B., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.02.2021, dyshohet se kanë vjedhur materiale në një kompani telefonike, ndërsa më datë 08.02.2021 dyshohet se kanë vjedhur vegla pune në banesën e shtetasit F. Xh., në Krujë.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në Sukth, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Top Channel