Reshjet e dëborës bllokuan me orë të tëra në rrugët e Shqipërisë qindra makina, të cilat nuk ishin përgatitur dhe udhëtonin pa goma dimri apo zinxhirë. Situata ka qenë e vështirë për mbi 4 orë në aksin Lezhë-Milot që u bllokua si pasojë e ngricës dhe dëborës në rrugë. Radhët e gjata të makinave shkuan në disa kilometra.
Udhëtarët qëndruan në automjete në temperatura të ulëta duke rrezikuar mbarimin e karburantit pasi makinat janë mbajtur ndezur për tu ngrohur. Firma kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka ndërhyrë për të hapur qarkullimin e rrugës. Autoritetet në Lezhë nisën procedimin penal ndaj firmës kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugës Balldre-Lezhë-Milot, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës “, pasi nuk është marrë asnjë masë në këtë aks.
Edhe rruga që lidh Librazhdin me Elbasanin u bllokua si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës dhe ngricës. Disa makina kanë dalë nga rruga, duke krijuar një trafik të rënduar, në kushtet kur rruga është e pakalueshme. E njëjta situatë e bllokimit të automjeteve ishte dhe në aksin Burrel-Bulqizë.
Teksa rreth 95% e territorit të vendit është përfshirë nga reshjet e borës, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku bëri thirrje të shmangen qarkullimet e panevojshme në akset kombëtare nga drejtuesit e automjeteve dhe të përdoren zinxhirët në ato zona ku kërkohen për arsye sigurie.
Qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë për shkak të bllokimit që krijojnë për borëpastrueset, u ndalua nga ora 20:00 e së shtunës deri të hënën në orën 08.00.
Top Channel