Inflacioni po tregon krizën/ Shqiptarët po shpenzojnë shumë pak, në kufi të mbijetesës

11/02/2021 15:36

Norma e inflacionit prej 0.4% që u regjistrua në janar është një tregues mjaft shqetësues për ekonominë. 

Sipas ish-drejtores së Instat, Ines Nurja vlera të tilla problematike deflacioniste tregojnë për një krizë të thellë konsumi, në kufijtë e mbijetesës.

Një tkurrje e mëtejshme e konsumit sipas saj pritet të ndjekin edhe muajt në vijim, ndikuar edhe nga masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria.

“Mendoj që tani nuk bëhet fjalë për nevoja bazike, tani është thjesht mbijetesë. Po të kishim nevoja bazike, do kishim një ruajtje të ccmimeve të ushqimeve si në vitet e mëparshme. Përkundrazi, ushqimet kanë pësuar ulje. Ulja e tillë e konsumit tregon që do të ketë një ulje të madhe edhe të tregtisë me shumicë dhe pakicë. Do të thotë që vetë prodhimi në 3-mujorin e parë do njohë një ulje. Këto masa shtrënguese do të sjellin një pengim të biznesit të mëtejshëm, sidomos në tregti dhe shërbime. Do të thotë që konsumi sa vjen e do të ulet.”  tha Ines Nurja.

Përballë kësaj situate të pasigurt që ka bërë që shqiptarët të priren konsumojnë e shpenzojnë gjithnjë e më pak, ekspertja Nurja vlerëson si domosdoshmëri ndihmë direkte për bizneset.

“Duhet të nxiten ato degë të ekonomisë që mund të sjellin prodhim. Nevojitet përkrahje direkte me likuiditet për bizneset në mënyrë që të nxisin punësimin dhe të mbajnë në punë punonjësit aktualë në mënyrë që mos të preken të ardhurat.”

Kjo pasiguri e lartë që ka shoqëruar individët për gjendjen e tyre ekonomike është reflektuar edhe në raportin e Bankës së Shqipërisë me rënie të besimit konsumator gjatë 2020-ës, teksa pesimistë qytetarët paraqiten edhe për pjesën e parë të këtij viti si pasojë e krizës së thellë që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

Top Channel