Të bllokuar prej orësh në malin Morgan, policia jep detajet për grupin e alpinistëve: Janë jashtë rrezikut për jetën

07/02/2021 19:07

Disa prej alpinistëve, të cilët u bllokuan për disa orë me radhë në malin Morgan janë transportuar me mjetet e policisë drejt fshatit Sotirë.

Forcat blu bëjnë me dije se kanë marrë një telefonatë se ndodheshin në vështirësi pasi një 17-vjeçar ishte rrëzuar dhe kishte dëmtuar këmbën.

Forcat “Shqiponja”, shërbimet e postës së policisë Dropull dhe forcat e ushtrisë i erdhën menjëherë në ndihmë alpinistët, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjirokastër/ Informacion Paraprak

Në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër  ka ardhur një telefonatë se disa alpinistë ndodhen në malin Morgan, mbi fshatin Sotirë dhe kanë nevojë për ndihmë pasi  shtetasi E. K., rreth 17 vjeç është rrëzuar dhe ka dëmtuar këmbën.

Menjëherë pas njoftimit janë nisur për në malin Morgan, forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër, shërbimet e Postës së Policisë Dropull dhe Forcat e Ushtrisë për t’iu ardhur në ndihmë këtyre shtetasve.

Aktualisht këta shtetas po ndihmohen nga shërbimet e policisë, ku po transportohen me mjetet e policisë drejt fshatit Sotirë dhe asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën.

Top Channel