Jeta në konteinerë nuk është aspak e lehtë, veçanërisht për familjet me të sëmurë kronikë dhe të moshuar. 73-vjeçarja Emine Dekuçi jeton e vetme në një gjysëm konteineri ku dhe tualetin e ndan me një tjetër familje dhe lëvizjen e ka të vështirë në këtë hapësirë të ngushtë banimi. 

Emine Dekuçi: “Vetëm këtë kam. Ha, pi, lahu, shplahu. Edhe tualetin e kemi dy familje. Pallatet i duam aty ku i kemi pasur. Kemi 70 vjet që jetojmë këtu. S’na kanë thënë asgjë.”

Pas tërmetit që i ktheu në të pabanueshme 8 pallate në Manzë të Durrësit, ajo dhe shumë familje të tjera jetojnë ende në konteinerë.

Emine Dekuçi: ”Një konteiner më të madh dhe një krevat hekuri dua.”

Edhe Sadik Përleka, ish-ushtarak, ndjehet i hidhëruar në kushtet ku jeton sot, ndërsa përballet me disa sëmundje kronike.

Sadik Përleka: ”Askush nuk na ka thënë gjë, po shpresoj do të na i ndërtojnë shtëpitë. Unë jam i sëmurë. Dal jashtë se s’kam ku rri. Më zihet fryma. 72 vjeç dhe e kam te vështirë, po njeriu bën si gjen.” 

Pranverën e këtij viti, në këtë sipërfaqe, pranë shkollës së mesme, do të nisë ndërtimi i lagjes së re në Manëz të Durrësit, ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Këtu do të ngrihen godina 4-5 katëshe për 214 banesa, banorët e të cilave aktualisht jetojnë në shtëpi me qera dhe konteinerë.

Top Channel