Në Fiks Fare u ankuan banorët e pallatit 405 të Njësisë Nr. 8 në Tiranë, pasi ndihen të rrezikuar. Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, u dëmtoi çatinë dy prej apartamenteve në katin e pestë e të fundit të pallatit.

Si rrjedhojë asokohe Bashkia e Tiranës të dy këta pronar, i ka trajtuar me bonus qiraje dhe nuk jetojnë më aty.  Por problemi që ngrenë banorët në Fiks Fare është një tjetër. Shiu që bie përshkon katin e pestë dhe shkon dhe te kati i katërt që siç pohojnë banorët, ekspertët e emergjencave civile që kanë shkuar për inspektim  u kanë thënë se dhe kati katërt po del i pabanueshëm nga lagështia. “Kemi frikë të hyjmë në pallat se dhe nga pjesa e mbetur e çatisë mund të na bjerë në kokë” shprehen banorët. Ata janë interesuar pranë Njësisë Administrative Nr .8 në Tiranë , të cilët kanë përgatitur gjithë dokumentacionin  e nevojshëm dhe ia kanë përcjellë Bashkisë së Tiranës. Por  ende deri më sot nuk është bërë asgjë.

Fiksi u interesuar edhe në Njësinë Nr. 8 ku administratori Dritan Drago, u shpreh se  shqetësimi i banorëve ishte me vend, pasi çatia ka degraduar shumë dhe kjo ka sjellë që edhe kati i katërt i pallatit të bëhet i pabanueshëm. ” Ne jemi drejtuar Bashkisë Tiranë  e cila na ka kthyer një përgjigje ku thuhet se pronarët e katit të pestë kanë përfituar një shumë për riparimin e dëmtimeve që mund t’i kryejnë ose vet ose nëpërmjet ndërmarrjes së bashkisë. Besoj se brenda muajit shkurt do të marrin paratë  për të mundësuar më pas riparimin” përfundon z.Drago.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel