Taksë e sheshtë 9% ?/ Ekspertët të ndarë për propozimin e PD  

30/01/2021 19:53

Partia Demokratike ka shpalosur platformën e saj ekonomike që mund të zbatojë në rast se ndodh rotacioni politik. Theksin PD e vë te taksa e sheshtë 9%, në dukje e thjeshtë, por sa e drejtë është ajo? Ekspertët janë të ndarë në pro dhe kundër mbi lehtësirat fiskale që propozohen.

“Duhet të formalizohet e gjithë fuqia punëtore dhe kontribuesit dhe më pas të merremi me krasitjet e normave tatimore. Nuk ndihmon asnjë shtresë pavarësisht premtimeve sepse në momentin që hiqet një taksë vihet një tarifë tjetër.” – Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.

“Më pëlqen ideja e taksës së sheshtë, por nuk mund të jetë 9% sepse do të krijojë një boshllëk të madh midis sistemit aktual dhe do mbetet një vakum i madh që duhet mbushur. por nuk mund të shtrihet për shumë kohë. Nëse kjo taksë e sheshtë do ekzistojë për më shumë se 2-3 vite atëherë po mund të themi që oligarkia dhe bizneset favorizohen më shumë se konsumatori. Nuk mund të jetë 9% sepse do të krijojë një boshllëk të madh.” – Danaj, ekspert për ekonominë.

“Është një taksë që i barazon të gjithë, thjeshtëson dhe redukton numrin e taksave dhe e bën më të thjeshtë sistemin fiskal.” -Klodian Muço, ekspert për ekonominë.

“Një masë e domosdoshme që jep frymëmarrje biznesit të vogël, të mesëm të vetëpunësuarve kryesisht duke rritur numrin e tyre, çka do të sjellë rritjen edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ndërkaq jep një mundësi më të saktë në kalkulimin e saj.”

Skeptikë disa nga ekspertët janë edhe mbi propozimet e tjera të partisë opozitare, që i cilësojnë ato teorike. Reduktimin e sigurimeve shoqërore sipas tyre krijon gropa të mëdha në buxhet, teksa shikojnë të parealizueshëm edhe bonusin e fëmijëve apo masa të tjera për shkak të paqartësisë së programit.

“Një reduktim i mëtejshëm i barrës fiskale për sigurimet shoqërore në 18% besoj do gjenerojë kosto të tepërta për arkën e shteti, ndërsa çdo shtesë që kalon për pensionin është pozitive sepse kalon për konsum dhe rritje ekonomike.” – Klodian Mucco, ekspert për ekonominë.

“Frika ime më e madhe është se 70% e këtij program mund të mbetet vetëm teori. Paga minimale, skeptik sepse mendoj se do hasë rezistencë në këtë pjesë pasi rrit kostot për biznesin. Nuk mendoj se do realizohet bonusi për fëmijët pasi ekonomikisht jemi shumë të dobët. Nëse ndalemi te 110 mijë vende pune si numër qëndron, por mungon qartësia se në cilin sektor do punësohen.” – Vjoldi Danaj, ekspert për ekonominë.

“Më shumë buxhetin e prek ulja e karburantit për shkak të volumit të madh. Projekti i paraqitur nga PD nëse do ta çonte në një bankë nuk e di si do t’ia miratonin.” – Eduart Gjokutaj, ekspert për çështjet fiskale.

Por, të tjerë ekspertë vlerësojnë se masat e propozuara do të rigjallërojnë ekonominë dhe do të përmirësojnë klimën e biznesit.

“Klima e biznesit do të jetë më e mirë dhe ofron një lloj sigurie fiskale. Nuk ka asnjë arsye veç mungesës së vullnetit politik për të qenë një paketë e suksesshme. Paratë në ekonominë shqiptare janë dhe problem është që t’i vëmë këto para në qarkullim.” -Arbi Agalliu, ekspert për ekonominë.

“Ndihma e çifteve të reja dhe bonusit për fëmijët është një masë shumë e mirë që do ndikojë në frenimin e emigracionit.”- Klodian Muço, ekspert për ekonominë

Por, teksa PD nuk ka dhënë ende detaje se si do të realizojë planin e saj prej 500 mln euro, ekspertët edhe pse me rezerva vlerësojnë si alternativa mirëadministrimn fiskal, formalizimin e ekonomisë dhe menaxhimin më të mirë të parave publike.

Top Channel