Përfitonin nga 600 euro për të falsifikuar testet e Covid-19 dhe garancitë, arrestohet bashkëpunëtori i pestë i grupit në Tiranë

30/01/2021 12:48
Ilustrim

Numri i personave të arrestuar nga operacioni “Shtegtimi” ka mbërritur në 5.

Së fundmi, ka rënë në pranga një 18-vjeçar, i cili bashkëpunonte me katër të tjerë dhe përfitonin nga situata e pandemisë për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në venden e BE-së, kryesisht Gjermanisë.

Ai së bashkë me katër personat e tjerë që janë arrestuar rreth një javë më parë kanë përfituar shumën 600 euro për person. Të gjithë falsifikonin testet e koronavirusit dhe garancitë e destinacionit të vendit pritës.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni “Shtegtimi”. Shkon në 5 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit policor të koduar  “Shtegtimi”, finalizuar një javë më parë nga DVP Tiranë si rezultat i të cilit u vunë në pranga 4 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi O. Gj., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Gj., 18 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t’u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA