Durrës- Një apartament në katin e katërt të një pallati në qytetin e Durrësit është përfshirë nga flakët.

Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në zonën e ish-lulishtes ”1 Maji”. Kanë qenë qytetarët që kanë njoftuar se nga një apartament po dilte tym dhe dukeshin flakë.

Menjëherë ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës që ka shuar flakët pa lënë përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Në apartament nuk ka pasur familjarë në çastin e zjarrit që paraprakisht deklarohet se është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Si rezultat ka pasur dëme materiale vetëm në njërën nga dhomat e banesës.

Njoftimi i policisë:

Më datë 30.01.2021, në orën 16:20, në lagjen nr.11, Durrës, në katin e katërt të një pallati, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit B. B., nga e cila ka vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel