Hungaria është bërë vendi i parë i Bashkimit Evropian që ka dhënë miratim fillestar për vaksinën kineze kundër koronavirusit, Sinopharm.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se ai personalisht ka vendosur të marrë këtë vaksinë sepse i beson më së shumti.
“Instituti Kombëtar i Farmacisë dhe Nutricionit, ka miratuar sot vaksinën Sinopharm”, ka thënë shefja e Zyrës për Mjekësi, Cecelia Muller më 29 janar, një ditë pas dekretit qeveritar që parasheh se secila vaksinë që u është dhënë më shumë se 1 milion personave në botë, mund të përdoret edhe në Hungari.
Hungaria, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, ka vepruar ndryshe prej bllokut evropian edhe javën e kaluar, duke ofruar licencë të përkohshme për vaksinën ruse kundër koronavirusit, Sputnik V, dhe duke porositur doza për 1 milion persona, për t’i vaksinuar qytetarët e saj në tre muajt e ardhshëm.
“Pas vaksinave të kompanive, Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe asaj ruse, ne mund t’i besojmë edhe vaksinës Sinopharm”, ka thënë Muller.
Më herët gjatë të premtes, Orban ka thënë për median shtetërore se marrëveshja për vaksinën kineze do të nënshkruhej “sot ose nesër”, dhe se dërgesa e parë në Hungari do të përbëhej nga 1 milion doza.
“Kinezët e njohin këtë virus më së gjati dhe unë supozoj se ata dinë më së shumti për të. Kështu që, unë do të pres radhën, dhe nëse mund të zgjedh, do të kërkoj vaksinën kineze”, ka thënë kryeministri hungarez.
Orban, i cili ka kritikuar programin e prokurimit për vaksina të Bashkimit Evropian, ka thënë se Serbia ka ofruar “shembullin më inspirues”.
Serbia është kthyer këtë muaj në vendin e parë në Evropë që ka nisur programin masiv të vaksinimit me vaksinën kineze.
Prej shpërthimit të pandemisë, autoritetet hungareze kanë regjistruar më shumë se 360,000 persona të infektuar me koronavirus.
Prej tyre, mbi 12,000 pacientë kanë vdekur.
Top Channel