Video/ Përplasje e frikshme në Utah, helikopteri humbet kontrollin pak sekonda pas ngritjes
Fermerët në Holandë ndezën zjarre pranë autostradave, duke shkaktuar kaos në trafik, ndërsa autoritetet po hetojnë edhe një incident sabotimi në rrjetin hekurudhor, pak para fillimit zyrtar të sesionit të ri parlamentar.
Kompania holandeze e menaxhimit të infrastrukturës hekurudhore, ProRail, bëri të ditur se tuba të hollë ishin lidhur qëllimisht me shinat në më shumë se 20 pika të ndryshme. Incidentet u regjistruan kryesisht në zona rurale në pjesët qendrore dhe lindore të vendit.
Për shkak të sabotimit, trenat në zonat ku u bllokuan linjat u ndaluan, ndërsa pati ndërprerje të konsiderueshme edhe në pjesë të tjera të rrjetit, përfshirë linjat ndërkombëtare drejt Gjermanisë.
ProRail tha se materialet ishin vendosur në shina qëllimisht dhe për këtë arsye incidenti është klasifikuar si sabotim. Tubat shkaktuan probleme jo vetëm për qarkullimin e trenave, por edhe për trafikun rrugor, pasi disa kalime në nivel u detyruan të mbylleshin.
Agjencia holandeze e inteligjencës AIVD ka nisur hetimet për incidentin, në bashkëpunim me policinë dhe prokurorët. AIVD nuk ka dhënë detaje mbi ecurinë e hetimit.
Ndërkohë, rreth mesditës, në pika të ndryshme përgjatë autostradave shpërthyen zjarre, duke detyruar autoritetet të mbyllnin disa segmente rrugore dhe duke shkaktuar probleme të mëdha në trafik.
Sipas Forcës së Mbrojtjes së Fermerëve, zjarret u ndezën nga fermerë të zemëruar, të cilët zgjodhën ditën e prezantimit të buxhetit të qeverisë për të djegur balla me sanë dhe goma makinash.
“Ndjejmë sikur vendi është në flakë. Fermerët ndiejnë sikur bizneset e tyre po digjen nga planet e qeverisë”, tha zëdhënësja e organizatës, Sita van Keberma.
Forca e Mbrojtjes së Fermerëve mohoi përgjegjësinë për dëmet në hekurudhë, por tha se nuk mund të përjashtonte mundësinë që fermerë të zemëruar të kishin vepruar individualisht.
Protestat lidhen me planet buxhetore të qeverisë për vitin 2027, të cilat janë kundërshtuar prej muajsh nga fermerët. Ata pretendojnë se po fajësohen padrejtësisht për ndotjen nga nitratet dhe kundërshtojnë planet për restaurimin e habitateve, të cilat mund të ndikojnë në aktivitetin e tyre.
Planet e buxhetit u prezantuan nga Mbreti Willem-Alexander në fillim të mandatit të ri parlamentar. Në fjalimin e tij, teksti i të cilit u përgatit nga Kryeministri Rob Yeats, mbreti deklaroi se do të ishte “e papërgjegjshme” që çështja e ndotjes nga azoti të mos trajtohej, edhe nëse masat do të kishin pasoja për fermerët.
Qeveria ka premtuar kompensim financiar për fermerët dhe bizneset që do të preken nga planet për restaurimin e habitateve.
Top Channel