Video/ Përplasje e frikshme në Utah, helikopteri humbet kontrollin pak sekonda pas ngritjes

15/09/2026 17:00

Pamje tronditëse tregojnë momentin kur një helikopter i tipit Bell 206 humbet kontrollin dhe përplaset në tokë vetëm pak sekonda pasi ngrihet nga pista e një aeroporti në Utah, në Shtetet e Bashkuara.

Ngjarja ndodhi më 23 maj në Aeroportin Rajonal të Cedar City, gjatë një fluturimi stërvitor. Sipas gjetjeve të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB), instruktori 32-vjeçar humbi kontrollin e helikopterit menjëherë pas ngritjes.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, helikopteri shihet teksa ngrihet në ajër, por vetëm disa sekonda më vonë përplaset me forcë në tokë. Pas goditjes, ai kërcen dhe nis të rrokulliset në mënyrë të pakontrolluar përgjatë pistës së taksive.

Gjatë përplasjes, pjesa e bishtit të helikopterit shkëputet, ndërsa mjeti ajror vazhdon të rrotullohet derisa ndalon mes një reje pluhuri dhe mbeturinash.

Pas hetimit, NTSB arriti në përfundimin se aksidenti u shkaktua nga humbja e kontrollit nga instruktori dhe jo nga ndonjë defekt mekanik i helikopterit.

Pavarësisht përplasjes së fortë, si instruktori 32-vjeçar, ashtu edhe praktikanti 25-vjeçar pësuan vetëm lëndime të lehta. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

Top Channel