Dokumentari ‘i ndaluar’ për familjen mbretërore britanike, shfaqet papritur në YouTube

29/01/2021 20:50
Mbreteresha Elizabeth II, Princi Philip, Princesha Anne e Princi Charles darkojne ne keshtjellen Windsor para kamerave te BBC

Një dokumentar famëkeq i vitit 1969 për familjen mbretërore të Britanisë, që besohej se ishte ndaluar prej dekadash nga mbretëresha Elizabeta II për detaje tepër intime, është shfaqur në mënyrë misterioze në rrjetin YouTube.

Filmi jep një panoramë tepër të kthjellët mbi rrethin shtëpiak mbretëror dhe tërhoqi miliona shikues kur u shfaq fillimisht nga televizioni BBC. Por më pas ai u la në arkiva me kërkesën e pallatit mbretëror Buckingham Palace, dhe nuk është shfaqur prej viteve 1970-të.

Nuk dihet sesi programi i titulluar “Familja Mbretërore,” është zbuluar dhe postuar në YouTube. Por video u hoq me shpejtësi pas depozitimit të kërkesës së të drejtës së autorit.

Në film, monarkja britanike  krahason ambasadorin amerikan me një gorillë. “Ishte si një gorrillë. Isha shume e shqetësuar … kishte trup të shkurtër e krahë të gjata”, citohej të kishte thënë ajo nga agjencia PA Media.

Ndërsa në të tjera skena më të palavdishme, mbretërorët shihen duke ngrënë së bashku, Mbretëresha shihet duke kërkuar monedha në çantën e saj për t’i blerë një ëmbëlsirë princit gjashtë-vjeçar Edward, pamje të cilat konsideroheshin atëherë si një dritë e re mbi familjen tradicionalisht të rezervuar.

Filmi prej 110-minutash ishte ndjekur nga 30 milionë njerëz në 1969, dhe mbetet ende një nga transmetimet më të ndjekura në Britani.

Një zëdhënës i BBC refuzoi të komentonte për rrjetin CNN mbi rishfaqjen e videos, por rrjeti nuk ka mohuar lajmet se ka bërë kërkesën e të drejtës së autorit për heqjen e videos nga rrjeti.

Filmi u realizua kur mbretërorët i dhanë miratimin e rrallë rrjetit shtetëror BBC për të xhiruar jetën e tyre të përditshme. Asokohe familja mbretërore kishte nisur të konsiderohej si ‘jashtë realitetit të popullit’ prandaj u mendua që programi do të ishte një tentativë për ringjalljen e interesit te monarkët.

Princesha Anne, e bija e mbretëreshës, foli më pas për pakënaqësinë ndaj programit. “Nuk më pëlqeu kurrë idea e dokumentarit për familjen mbretërore. Vëmendja ka qenë tepër e madhe mbi mua që kur isha e vogël dhe nuk dëshiroja më shumë,” tha Anne.

FOTO GALERI
3/5
Por më pas ai u la në arkiva me kërkesën e pallatit mbretëror Buckingham Palace

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA