Borxhi publik ka shkuar në 79.9 %/ Shqipëria me borxhin me të lartë në mes të shteteve të rajonit

27/01/2021 12:32

Pandemia Covid-19 ka rritur ndjeshëm nivelin e borxhit publik në vend, si rrjedhojë e shpenzimeve për përballimin e krizës, duke e çuar atë në 79.7% të PPB-së në fund të tremujorit të tretë të vitit të kaluar.

Për ekspertin e ekonomisë, Adrian Civici një normë e tillë borxhi është shqetësuese për një ekonomi të brishtë si ajo e Shqipërisë, pasi do të reduktojë mundësitë për investime në sektorët bazikë të ekonomisë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të ndjeshëm lidhur me borxhin sepse nga njëra anë vazhdojmë të kemi kërkesa dhe presion për të marrë borxh në tregun e brendshëm apo jashtëm lidhur me shpenzimet për Covid apo investime publike. Nga ana tjetër, sa më i madh të jetë borxhi dhe sidomos këstet vjetore të tij aq më shumë ngushtohet mundësia për  financime në sektorë jetikë si arsimi shëndetësia infrastruktura” tha Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Emetimi i Eurobondit prej 650 milionë euro vitin e kaluar ndikoi fort në rritjen e borxhit të qeverisë, duke e listuar atë sipas Komisionit Europian në vend të parë në rajon për nivelin më të lartë, që lë pas edhe Malin e Zi me 78.1% e Serbinë në 57.1%. Por, a është përdorur siç duhet borxhi i marrë?

“Shqipëria një pjesë të rëndësishme të borxhit e ka përdorurpër të shlyer borxhet e vjetra, një pjesë tjetër për nevojat emergjente dhe shumë pak janë përdorur në 2 vitet e fundit apo në ato në vazhdim për investime që ndikojnë në rritje ekonomike dhe në punësim”, thaCivici.

Sipas Adrian Civicit, mundësitë për të kthyer borxhin në trajektore rënëse në këtë moment krize janë të vështira dhe qeveria e cila ka parashikuar ta ulë atë në 78.6% në fund të 2021, duhet të vendosë një kontroll më të mirë mbi të, qoftë duke bërë edhe negocime të mundshme për ristrukturime apo zgjatje në kohë të shlyerjes së tij për të mos cenuar ekonominë.

Top Channel