Situatë kritike në Mifol/ Banori që u përball me 3 përmbytje: S’i llogaris dëmet e këtij viti, në 2015-ën ishin 400 mln lekë

26/01/2021 13:29

Situata në Mifol të Vlorës gjatë natës ka qenë e vështirë pasi niveli i Vjosës shkoi deri në 7.5 metra. 

Disa prej banorëve të Myzeqesë janë detyruar të nxjerrin sendet nga shtëpia pas hyrjes së ujit brenda. Për mediat foli një nga qytetarët i cili është përballur me tre përmbytje deri tani. Ai thotë se dëmet e këtij viti janë të papërfillshme krahasuar me dëmet prej 400 mln lekë në 2015-ën.

Banori thotë se në zonën ku ai jeton janë përmbytur rreth 3 shtëpi, pasi gjatë natës ka parë banorët duke nxjerrë sendet nga shtëpia. Top Channel ka mundur që të sigurojë pamje nga banesa e tij dhe ujin e futur brenda dhe dëmet e shkaktuara.

“25 centimetra aq është aty, treguam qetësi nuk morëm masa e pranoj që kësaj radhe është faji i banorëve të zonës së Myzeqesë. Dëmet janë të papërfillshme, nënvlerësova dhe gabova nuk është faji i atyre por i imi. Që nga 2015 kam bërë investime kam bërë një mur rrethues të lartë. Ura u cungua, nuk  u bë 85 metra dmth që u cungua si vepër. Dëme nuk ka kësaj radhe,  unë llogaris dëmet e 2015 që janë 400 mln lekë. Kanë ndodhur 3 përmbytje rresht dhe shteti nuk ka dhënë as edhe një kafe të zezë shteti ka premtuar e asgjë nuk ka dhënë. I them faleminderit shtetit që di të vendosë gjoba e të marrë taksat, unë nuk mund të bëj dot asgjë për të minimizuar përmbytjen. Në këtë zonë duhet të jenë dy tri banesa të përmbytura se i kam parë duke nxjerrë gjërat nga shtëpia”, tha ai.

 

 

 

Top Channel