Përmbytjet në vend/ Situatë kritike në Vlorë! Mbyllen 4 shkolla në Elbasan! Evakuohen 11 familje në Durrës

26/01/2021 11:29
Pamje nga Vlora

Situata në vendin tonë vijon të jetë me probleme për shkak të reshjeve të shumta të shiut të ditëve të fundit.

Situata në Mifol të Vlorës gjatë natës ka qenë e vështirë ku niveli i Vjosës shkoi deri në 7.5 metra. Në Përmet, Memaliaj dhe Mifol pritet që niveli deri në orën 14:00 të shkojë deri në 6.00 metra. Gjatë natës ka pasur evakuime të 10 familjeve për shkak të prurjeve të shumta që ka pasur Vjosa, ndërkohë një biznes baxho është përmbytur duke i shkaktuar dëme të shumta, po ashtu dhe tokat anës lumit janë nën pushtetin e ujit.

Fier reshjet e shiut gjatë natës kanë krijuar probleme të vogla në tokat bujqësore përgjatë shtratit të lumit Vjosë, në fshatrat Kashisht- Kafaraj- Cerven në Frrakull. Si pasojë e daljes nga shtrati, janë përmbytur gjatë natës 36 hektarë tokë në fshatin Çerven.

Kalueshmëria në akset rrugore nuk paraqet problem me përjashtim të aksit të vjetër Fier – Ballsh në ”Kthesat e Visokës” pasi ka një prezencë të lehtë të dherave në rrugë, në të cilat po punohet.

Edhe qarku i Durrësit vijon të përballet me pasojat e përmbytjeve të një dite më parë. Të paktën 11 familje nga Katundi i Ri, Sukthi dhe Shijaku raportohet të jenë evakuuar për shkak se banesat e tyre ndodhen nën ujë. 27 persona janë strehuar në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Plepa.

Situata më problematike është në lagjen ”Erzen” të Shijakut, ku u përmbytën 50 shtëpi; në Katund të Ri, fshatrat e Sukthit, veçanërisht në Vadardhë, si dhe në zonën e Bubqit në Krujë. Dalja e lumenjve dhe kanaleve të ujërave të larta nga shtrati, një ditë më parë, shkaktoi  përmbytje në qindra hektarë toka bujqësore, shumë shtëpi dhe biznese.

Në lumin Erzen niveli i ujit ka rënë mbi 2 metra dhe ujërat kanë nisur të tërhiqen nga rrugët e nga oborret e shtëpive duke lënë pas llumra e mbetje. Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet ka nisur shpërndarja e pakove ushqimore në bashkitë Shijak, Katund i Ri dhe Sukth.

Shkollat e katër fshatrave në Kukur të Gramshit nuk zhvillojnë mësim pasi kanë dalë ujërat e përrenjve, të cilat rrezikojnë kalimin e nxënësve për në shkollë. Sa i përket prurjeve në lumin Shkumbin, ende është larg pikës kritike ndërsa përroi i Zaranikës ka pasur rënie në krahasim me një ditë më parë. Aktualisht  kanë dalë jashtë funksionit disa kabina që furnizojnë me energji elektrike Nj.A Zavalinë, Labinot Fushën, Lagjen Nr.2 të Bashkisë Elbasan dhe Nj.A Orenje e Polis në Bashkinë Librazhd si dhe  Nj.A Grabovë në Bashkinë Gramsh.

Top Channel