Drejtoresha e AZHBR-së: Në dy vite kemi investuar 100 milionë euro për modernizimin e bujqësisë

26/01/2021 16:04

Që nga 30 Tetori i vitit 2018, kur AZHBR u akreditua për të menaxhuar fonde Europiane në favor të bujqësisë janë injektuar mbi 100 milionë euro investime në fermë. Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca në Konferencën “Bujqësia në Fokus” me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Bujqësisë Milva Ekonomi bëri me dije se më shumë se 45 milion euro grant janë dhënë në ndihmë të fermerëve.

“Më shumë se 45 milionë euro janë grant falas që ka ndihmuar zhvillimin e 24 fermave blegtorale, 30 hektarë serra të reja moderne, 18 projekte mbjelljesh të përkthyera në qindra hektarë, 8 investime për sisteme mjelje, 38 linja përpunimi, selektimi, paketimi, 28 ambjente grumbullimi, 19 investime në dhoma frigoriferike dhe kapacitete ruajtëse, 5 thertore të reja, 72 investime në traktorë dhe mekanikë bujqësore, që i janë shtuar flotës që ka mekanizuar proceset e punës me anë të teknologjive bashkohore që rrisin prodhimin, përmirsojnë cilësinë dhe kursejnë kohë. Investime këto të kryera patjetër nëçdo qark por edhe në mënyrëkapilare në 66 bashki të vendit”, tha Krifca.

Objektivi për të zhvendosur bujqësinë e mbijetesës në një bujqësi moderne ka qenë shtysa e punës së AZHBR për sektorin që ka transformuar dhe i ka dhënë zë dhe fuqi ekonomisë së vendit.

“Gjatë 2020 nëpërmjet skemës kombëtare kemi financuar 10 milionë euro në mbështetje direkte për rreth 5500 fermerë, blegtorë që mbarështojnë dele, dhi, gjedhë, bletë, shtojnë sipërfaqet e mbjella me bimë medicinale, kanë certifikuar të mbjellat dhe kanë shtruar plasmas për ruajtjen e produkteve. Nga 100 milionë euro investime që po injektohen këto dy vjet në programin IPARD, 90 milionë janë investime që janë kontribut direkt në modernizimin, avancimin teknologjik dhe automativ të bujqësisë”.

Nëpërmjet mbështetjes së dhënë nga AZHBR  janë shtuar hapësirat e grumbullimit, janë modernizuar pajisjet e përpunimit duke sjellë në treg produkte cilësore duke shtuar kështu edhe vende të reja pune.

“Kemi mbështetur me 339 investime në asete fizike në 45 bashki, ku 142 jane start up me 3118 vende pune të reja. Kemi shtuar 654 hektarë mbjellje të reja fruta dhe perime. Kemi mbështetur për zëvendësim plastmasi termik 346 hektarë sipërfaqe serrash. Kemi injektuar teknologji dhe infrastrukturë bujqësore modernë në ferma të cilat rrisin rendimentin, mbrojnë bimët dhe përmirësojnë teknikat e kultivimit të produkteve. Kemi shtuar shtuar 110,000 m2 ambjente ruajtëse dhe 32,000 m3 dhoma frigorike që ruajnë produktin pas vjelje dhe i rrisin jetëgjatësinë dhe vlerën në treg dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e eksporteve në vend. Kemi përmirësuar procese të përpunimit të produktit duke mbështetur fuqimisht përpunimin në këtë sektor”, bëri me dije drejtoresha e AZHBR.

Ndërkohë në mars do të nisin aplikimet për skemën kombëtare.

“”Fillojmë në mars me aplikimet me zero dokumenta për mbështetjen e drejtëpërdrejtë për blegtorët për krerë, certifikim, bimë medicinale dhe investime të vogla për rritje kapacitetesh”.

Për të siguruar përthithjen e fondeve dhe ndihmuar aksesin në finance AZHBR ka miratuar një procedure për pagesë paradhënie nga 20% me një police sigurimi deri në 50% me një garanci bankare.

“Jemi agjencia e vetme në rajon që mundësoi miratimin e kësaj procedure në Komisionin Europian. Ndërkohë po punojmë me Ministrinë dhe Komisionin për të akredituar programin IPARD 3 për të filluar në 2022 ku kemi kërkuar 166 milionë euro dhe po shtojmë dhe 5 masa të reja për të rritur përfshirjen e komuniteteve rurale të aplikojnë”, u shpreh Frida Krifca.

Top Channel