Foto+Emri/ Kush është 29-vjeçari nga Pishkashi që humbi jetën nga koronavirusi

25/01/2021 22:39

Një 29-vjeçar, i identifikuar si Olsi Skura ka humbur jetën në vendin tonë si pasojë e koronavirusit.

Ai u rendit në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila njoftoi se kanë humbur jetën 9 pacientë gjatë 24 orëve të fundit.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 9 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetare nga Durrësi, 2 qytetar nga Librazhdi, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 29-84 vjeç”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për lajmin e hidhur, ka reaguar edhe ish kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira me anë të një shkrimi në Facebook, ku i shpreh ngushëllimet familjes për humbjen e të riut.

Miranda Rira: E dhimbshme ndarja nga jeta e 29-vjecarit, Olsi Skura nga fshati Pishkash, Veri, bashkia Prrenjas! I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta babait të Olsit, Z. Myftar Skura, për humbjen e djalit të tyre në një moshë kaq të re, nga Covid, virusi vdekjeprurës! U prehsh në paqen e amshueshme të Zotit, Olsi!

Ndërsa një mik i familjes, bën me dije se Olsi Skura ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ka humbur betejën me virusin vdekjeprurës.

Arian Blloshmi: Ky është djali 29 vjeçar nga Librazhdi. Djaloshi nga fshati Pishkash, njësia Administrative Komunës Qukës!

Olsi Skura u nda sot nga jeta dhe nuk ja doli dot nga Covid-19 në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Skura! Zoti ju lehtësoftë këtë dhimbje kaq të madhe. Vendlindja ime sot është në zi se ka humbur një djalë të mrekullueshëm.

Edhe një ditë më parë, në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, renditej ndarja nga jeta e një të riu 26-vjeçar, por mbetet e paqartë nëse të rinjtë kishin sëmundje shoqëruese.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA