Anglezët dhe skocezët kryesojnë klasifikimin botëror për sa i takon shpeshtësisë me të cilën ata dehen aq sa për të humbur drejtpeshimin dhe aftësinë për të folur normalisht.

Një studim i kryer për 2020, sugjeron se problemi i pijes në Britaninë e Madhe është më i rrezikshëm edhe se përdorimi i drogave. Më shumë se 5 për qind të personave nën 25 vjec, në Britani, raportohet se kanë përfunduar të paktën një herë në spital për trajtim, pas dehjes, krahasuar me një mesatare globale prej 2 për qindësh.

Në sondazh, u morën në pyetje më shumë se 110 mijë njerëz në të gjithë globin, përfshirë 5283 në Britaninë e Madhe, në një periudhë tre mujore nga nëntori 2019 deri në shkurt 2020. Ashtu si edhe studimi i një viti më parë, edhe ky i fundit, tregoi se njerëzit në Britaninë e Madhe deheshin më shumë se ata në vende të tjera. Njerëzit në Skoci dhe Angli, thanë se ishin dehur mesatarisht më shumë se 33 herë gjatë vitit e kaluar, aq sa kishin humbur aftësitë fizike e mendore si ruajtja e drejtpeshimit apo e folura normale. E kjo shifër është më e larta në të 25 vendet e përfshira në studim dhe më shumë se dy herë më e madhe se në vende të ndryshme evropiane, përfshirë Poloninë, Hungarinë, Gjermaninë, Greqinë, Spanjën, Italinë dhe Portugalinë.

Mesatarja globale ishte rreth 20 herë, me kolumbianët që raportuan shifrën më të ulët, 6.5 herë në vit.

 

Top Channel