Zhdukja e biznesmenit italian/ Hetimet për Davide Pecorrelli-n, ADN do të krahasohet me të vëllait në Itali

24/01/2021 20:30

Mjekësia ligjore shqiptare ka arritur të kryej ekzaminimet e eshtrave që u gjetën në makinën që drejtohej nga  italiani  Davide Pecorelli, i cili u zhduk tre jave me pare ne Pukë në një zonë pranë kufirit me Kosovën. Burime nga policia kriminale i thanë Top Channel se janë gjetur gjurmë ADN-se njerëzore.

Mësohet se ditën e hënë, kampionet e ADN-së, do të dërgohen në Itali për të bërë krahasim me ADN-në e vëllait të Pecorellit. Nga hetimet e deri tanishme mësohet probabiliteti më i  madh është që kampionet e ADN-së të përputhen me njëra tjetrën.

Hetimet janë shtrirë  paralelisht në dy pista. Në atë që djegia e automjetit të jetë aksidentale, por edhe faktin që e gjithë ngjarja të ketë lidhje me një aksion kriminal.

Zhdukja e  Davide Pecorellit vuri në lëvizje edhe  Prokurorinë  e Perugia-s e cila po heton paralelisht me prokurorinë e Shkodrës për zbardhjen e ngjarjes.

Davide Pecorelli, një biznesmen në fushën e estetikës, në Itali dhe në vendin tonë, hyri në Shqipëri në datën 6 janar nëpërmjet Rinasit. Së fundmi ai kishte hyrë disa herë për çështje biznesi. Automjeti të cilin ai e mori me qera, u gjet plotësisht e djegur natë midis 7 dhe 8 janarit në zonën e Pukës, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Mediat italiane, e ndoqën me vëmendje këtë çështje dhe raportuan se në makinë krahas mbetjeve trupore, u gjetën edhe sende personale të Pecorellit, një prej tyre një orë dore.

Top Channel ka mësuar se prokuroria e Perugia ka marrë në pyetje ish bashkëshorten italiane të Pecorellit, familjarë të tij, si dhe bashkëshorten e tij shqiptare, për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen.

Një tjetër person, i marrë në pyetje nga prokuroria shqiptare, është një prej bashkëpunëtorëve të tij në vendin tonë, në fushën e estetikës, i cili ka dorëzuar sende që i përkisnin Pecorellit, me qëllim krahasimin e ADN-së.

Top Channel