Foto ilustruese

Një 59-vjeçar me kombësi turke, i cili banonte në Kosovë është vënë në pranga pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestimi i tij u krye në hyrje të pikën kufitare të Morinës, pasi Interpol Ashgabat i Turkmenistanit kishte lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar për veprën penale “Korrupsioni”.

Sapo të përfundojnë veprimet hetimore, pritet që të bëhet ekstradimi i 59-vjeçarit drejt Turkmenistanit.

Njoftimi i plotë: Vihet në pranga një tjetër  shtetas, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Korrupsioni”. Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimi drejt Turkmenistanit.

Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

M.Ç,  59 vjeç, me kombësi turke, banues në Kosovë.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar Interpol Ashgabat të Turkmenistanit,  pasi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Turkmenistanit,  ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale “Korrupsioni”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik &  Financiar në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

Top Channel