Bizneset e mbyllura nga pandemia/ Në terren shumë biznese të mbyllura, por shifrat zyrtare janë ndryshe

23/01/2021 19:36

Kriza e pandemisë Covid-19 ka goditur fort bizneset, ku shumë prej tyre veçanërisht të vogla nuk arritën t’i mbijetojnë mbylljes së ekonomisë për 3 muaj dhe masave të tjera kufizuese.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se në 2020-ën ulën qepenat 4887 biznese dhe mbi 7 600 të tjera pezulluan aktivitetin, ku pjesa më e madhe e tyre i përket sektorit të turizmit, ndër të prekurit më rëndë.

Megjithatë, situata në terren tregon një panoramë akoma më pesimiste ku mbishkrimet që shoqërojnë çdo rrugë janë ato “Jepet me qira” apo “Mallrat nën kosto, biznesi mbyllet.”

Për zv.ministrin e Financave Besart Kadia kjo ishte e pritshme në kushtet e një pandemia globale, por shton se goditja është e përkohshme.

“Kemi patur një vit të vështirë, por të dhënat tregojnë se janë regjistruar se gjatë vitit 2020 janë regjistruar 13 964 biznese apo rreth 1800 biznese më pak se në 2019, diçka e pritshme duke qenë se aktiviteti ekonomik ishte i penguar. Ajo që është optimiste dhe për të parë trendin e vitit 20. Në vitin 2020 ka 4887 biznese të çregjistruara ose 695 biznese më pak se 2019. Efekti neto çregjistrim, pezullim, aktivizuar është thuajse i njëjtë ose rreth 203 biznese më shumë se 2019. Nëse mbyllen biznese të tjera, kjo do të lidhet me shumë mundësi me konsumin”, Besart Kadia, zv.ministër i Financave.

Mbyllja e bizneseve ka rritur ndjeshëm edhe numrin e të papunëve në vend. Tw dhënat administrative të Instat flasin për rreth 30 mijë individë të dalë nga tregu i punës për 9-mujorin e 2020-ës, por për zv.ministrin Kadia kjo nuk ka ndikuar te kontributet e mbledhura.

“Një indikator që unë shoh me optimizëm për 2020 është kontributet e mbledhura nga tatimet dhe rezulton se janë njëlloj më 2019. Kjo mund të jetë ndikuar më së shumti nga paketat e punësimit të qeverisë, rikthimi i biznesit në aktivitet normal dhe rimarrja në punë e punonjësve. Pra, nuk mund ta shohim çfarë ndodhi gjatë pandemisë vetëm në muajin mars – prill sepse do ishte një ngrirje e panevojshme, por duhet parë gjithë fenomeni nga janari në dhjetor.” Besart Kadia, zv.ministër i Financave.

Qeveria ka lehtësuar barrën tatimore për bizneset e vogla me zerimin e tatim fitimit dhe rritjen e pragut të TVSH-së, masa të cilat mbetet për t’u parë se çfarë efekti do të kenë në ekonomi dhe në punësim.

Top Channel