Rusia paralajmëron Shqipërinë/ Reagimi i Moskës pas dënimit të diplomatit: Provokim, nuk e lëmë pa përgjigje

22/01/2021 15:02

Të enjten Shqipëria i dha 72 orë kohë diplomatit rus Alexey Krivosheev që të largohet nga Shqipëria si i padëshirueshëm. Arsyeja zyrtare ishte mosrespektimi i masave anticovid nga ana e diplomatit rus në ambasadën e Rusisë në Tiranë.

Në deklaratën e ministrisë së jashtme shqiptare thuhet:

“ Për fat të keq, në kundërshtim me premtimet, diplomati ka vazhduar të shkelë masat ndaj Covid-19. Me keqardhje, qeveria shqiptare vendosi të deklarojë diplomatin Aleksei Krivosheev person non grata, me detyrimin për të lënë vendin brenda 72 orëve nga njoftimi zyrtar,” Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ambasada ruse në Tiranë përmes një reagimi thotë se vendimi qeverisë shqiptare është i paargumentuar dhe se deklarata e MEPJ është befasuese.

“ Emri i Aleksej Krivoshejev nuk është përmendur asnjëherë gjatë kontakteve midis Ambasadës Ruse dhe Ministrisë përkatëse. Për herë të parë dhe të fundit, ai është përmendur në Notën Verbale të MEPJ-së me dt. 20.01.2021, sipas së cilës z. Krivoshejev është shpallur “persona non grata”.
Ne besojmë se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara. Në sfondin e kësaj ngjarjeje, sigurimet e palës shqiptare në lidhje me përpjekjet e saj në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona ngjallin dyshime”.

Mediat ruse kanë publikuar këtë të premte reagimin e fortë të Moskës ndaj kësaj mase drastike nga Shqipëria. Reagimi është vërë nga zëvëndesministri i jashtëm, Alexander Grushko.

“Na vjen shumë keq për këtë lëvizje, e cila është padyshim një provokim që synon të cënojë marrëdhëniet ruso-shqiptare. Është e qartë se një hap I tillë nuk do të mbetet pa përgjigje”. Alexander Grushko Zv.ministri i jashtëm i Federatës Ruse.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria brenda një kohe të shkurtër dëbon diplomatët rusë. Më herët u dëbuan nga Shqipëria,  sekretari i parë i ambasadës Ruse Alexey Nikolaevich Balashov dhe atasheu ushtarak, Vladislav Filipov.

Herën e parë ministria e jashtme nuk i lajmëroi emrat dhe postet që mbanin diplomatët. Ndërsa në herën e dytë, ministria e Jashtme e Shqipërisë e bëri publik emrin e diplomatit rus. Alexey Krivosheev zyrtarisht mbante positin sekretar i dytë i ambasadës ruse.

Ne besojmë thotë ambasada Ruse, se akuzat kundër tij janë të pabazuara dhe të sajuara.

“Në përputhje me praktikën diplomatike ndërkombëtare, emrat e punonjësve të misioneve diplomatike të shpallur “persona non grata” nuk i komunikohen publikut. Kjo është, ndër të tjera, një nga detyrimet e vendit pritës, me qëllim ruajtjen e sigurisë personale të diplomatëve dhe anëtarëve të familjes së tyre. Publikimi i emrave mund të ndodhë, vetëm pasi punonjësi është larguar nga vendi pritës”.

Por ndërkohë akte të tilla ekstreme ndërmerren zakonisht kur një diplomat me imunitet diplomatik ka cënuar sigurinë kombëtare të një vendi. Këto vendime Shqipëria edhe më parë i ka marrë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e saj euro-atlantikë, si vend anëtar i NATO-s.

Top Channel