Ekskluzive! Manastirliu i “shpëton” SPAK/ U verifikua për blerjen e kiteve dhe respiratorëve, por dyshimet janë për anëtarët e komisioneve

22/01/2021 19:43
Ministrja Ogerta Manastirliu

Një ministre e kabinetit Rama prej muajsh ka qenë nën lupën e prokurorisë së Posaçme SPAK.

Ogerta Manastirliu , është verifikuar për një kohë të gjatë nga prokurorët antikorrupsion , por në përfundim SPAK nuk e gjeti në shkelje sa i takon ngritjes së dy komisioneve të cilat u angazhuan për blerjen e kiteve për testet covid dhe për blerjen e respiratorëve.

Për të dyja këto tenderime komisionet dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën pasi këto njësi janë blerë përtej vlerës reale të tregut ndërkombëtar.

Por sipas burimeve pranë SPAK , hetimi i deritanishëm ka provuar se kitet e testeve për covidin dhe respiratorët janë blerë me çmime tre herë më të lartë se sa tregu real . Një test sipas SPAK është blerë nga 6 deri në 9 dollarë ku duhet të shtohen edhe kostot e transportit , pagesave doganore dhe shpenzimeve të tjera.

Nga një sërë veprimesh hetimore burimet e SPAK tregojnë për TCH se shkresat doganore vërtetojnë se si kompania e cila u përzgjodh fituese importoi përmes një kompanie tjetër nga Korea e Jugut ngarkesën me 20 paketa me 50 kite secili.

Komisioni i ngritur në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga covid dyshohet se nuk ka verifikuar çmimet e kiteve në çmimet e botuara, por i është referuar vetëm ofertave të paraqitura nga operatorët ekonomike.

Edhe për 54 respiratorët ,me një çmim 6400 euro secili , vlera e tyre rezulton tre herë më e lartë se tregu ndërkombëtar. Në këtë mënyrë pohojnë burimet e prokurorisë krijohen dyshime se anëtaret e dy komisioneve kanë shpërdoruar detyrën.

Por sa kohë Manastirliu nuk është personi që autorizoi fillimin e procedurës , dhe as nënshkroi kontratat e lidhura, SPAK nuk ka kompetencë të hetojë më tej .

Sa më sipër krijohen dyshime se sipas Prokurorisë së posaçme për anëtarët e komisioneve që pritet t’i kalojnë për kompetencë prokurorisë së kryeqytetit për dyshimet e shpërdorimit të detyrës.

Top Channel