Mario Mandzukic tashmë është zyrtarisht një futbollist i ri i Milanit. Mëngjesin e sotëm në orën 9:30, sulmuesi kroat mbërriti në zyrat e klubit kuqezi aty ku firmosi kontratën 6 mujore me një përfitim prej 1,8 milionë eurosh neto e cila do të rinovohet automatikisht me një tjetër vit nëse Milani arrin të kualifikohet në Champions League.
Te kuqezinjtë ish-bomberi i Juventusit i cili në këtë pjesë të parë të sezonit ka qenë pa skuadër pas largimit nga katariotët e Al Duhail, do të mbajë veshur fanellën me numër 9 dhe shikohet si zëvendësuesi ideal i Ibrahimovic në qëndër të sulmit, por Mandzukic na ka mësuar gjatë aventurës te Juventusi të përshtatet edhe si sulmues krahu dhe nuk do të ishte aspak çudi që të luante njëkohësisht me Zlatan.
Ai do të ketë nevojë për disa ditë stërvitje për të rigjetur formën optimale duke patur parasysh që është pa aktivitet që nga fundi i sezonit të kaluar, megjithatë gjasat janë që 34-vjeçari të grumbullohet për derbin e Milanos në Kupë ndaj Interit, mesjavën e ardhshme.
Top Channel