Paga e re për mjekët dhe mësuesit/ Në muajin shkurt do të marrin rritjen edhe infermierët

19/01/2021 15:09

Rritja e pagave të mësuesve me 15% ka hyrë në fuqi në mes të janar, ndërsa pritet qe financat e arsimtarëve të shtohen në muajin shkurt kur marrin rrogën e janarit punonjësit e arsimit parauniversitar.

Megjithatë duhet theksuar se rritja është bërë sipas kategorive dhe nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë arsimtarët.

Nga 4 elementë të pagës së mësuesve, ku përfshihet arsimimi, vjetërsia, kualifikimi dhe pozicioni mbi këtë të fundit është bazuar rritja e pagës nga mësuesit deri te edukatorët, ndërsa përjashtohen nga ky vendim psikologët shkollor dhe punonjësit socialë. Në varësi të ciklit ku punojnë, pozicionit që kanë dhe numrit të nxënësve është përllogaritur rritja në vlerën më të madhe për drejtuesit e shkollave të mesme me mbi 700 nxënës që përfitojnë  6.936 lekë në dorë,ndërsa vlera më e vogël për mësuesit e arsimit fillor e edukatorët deri në rreth 3800 lekë.

Të pakënaqur me këtë rritje janë arsimtarët të cilët ndihen të diferencuar mes njëri tjetrit dhe në krahasim me stafit mjekësor. Në një deklaratë për mediat kryetari i sindikatës së arsimit parauniversitar shprehet se paratë që do ju shtohen mësuesve në kuletë nuk janë 15%, kjo rritje sipas tij është pasqyruar vetëm në shtesën bruto.

Top Channel