“Është hera e parë që Parlamenti Grek thirret për të votuar rritjen e territorit mbi të cilin ka sovranitet kombëtar, që nga viti 1947” ka deklaruar Ministri i Jashtëm Nikos Dendias në fjalimin e tij në komisionin parlamentar të Çështjeve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare, në diskutimin e projektligjit për zgjerimin e zonës detare të detit Jon.
“Qeveria i propozon parlamentit ushtrimin e së drejtës së patjetërsueshme të vendit tonë, për të zgjeruar ujërat tona territoriale në rajonin e Detit Jon dhe deri në Tainaro, nga 6 në 12 milje detare”, ka thënë Dhendias duke shtuar se ky proces “do të rrisë sipërfaqen e sovranitetit kombëtar me 10,079 kilometra katrorë dhe nëse dikush merr parasysh zonën e krijuar nga mbyllja ligjore e gjireve, sipas ligjit ndërkombëtar, ajo tejkalon 13,000 kilometra katrorë.”
Ministri i Jashtëm kujtoi në këtë pikë se sipërfaqja e përgjithshme e Greqisë është 131,000 kilometra katrorë dhe se zona e Kretës është pak më shumë se 8,500 kilometra katrorë.
“Pra, është një nder jashtëzakonisht i madh për mua, në emër të qeverisë Mitsotakis, t’i propozoj këtë projektligj parlamentit -ka thënë ai.
Përkufizimi i Detit territorial
Projektligji “Përcaktimi i detit territorial në zonën detare të Ishujve Jon dhe Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez” u paraqit në Parlament pas hyrjes në fuqi të Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe heqjen e vijave bazë në këtë zonë sipas dispozitave te Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit të 10 dhjetorit 1982.
Në seancë kanë folur edhe deputetë të tjerë midis tyre ish ministrja e Jashtme Bakojanis që ka thënë se bëhet fjalë për një moment historik ,ndërsa nga ana e tij përfaqësues i opozitës Syriza, ish ministri i Jashtëm Jorgos Katrougkalos ka përshëndetur këtë akt të konservatorëve duke theksuar se partia e tij mirëpret faktin që Demokracia e Re pranoi një nga zgjedhjet strategjike të qeverisë SYRIZA, të cilën konservatoret dikur , e kishin kritikuar ashpër dhe nuk e kishin pranuar.
Top Channel