Zërat për hetim ndaj Trump dhe largim të menjëhershëm të tij nga detyra, janë intensifikuar në SHBA, pas asaj që ndodhi në godinën e Kongresit më 6 janar.
Zyrtarë të lartë demokratë, do të diskutojnë për mundësinë e një Impeachment-i për Donald Trump, duke argumentuar se ai nxiti mbështetësit e tij për të sulmuar ndërtesën e Kongresit, ku humbën jetën pesë persona. Demokratët thonë se nëse zëvendëspresidenti Mike Pence, nuk evokon amendamentin e 25 të kushtetutës për t’ia marrë kompetencat presidentit, ata do të vazhdojnë me Impeachmentin. Por, vetë presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka refuzuar të shprehë një qëndrim të prerë të tij, kur u pyet nga gazetarët por tha se gjithçka është në dorën e Kongresit.
‘Kjo është në dorën e Kongresit. I takon Kongresit të vendosë. Por duhet ta bëjë këtë shpejt, pasi kur Kamala dhe unë të bëjmë betimin do të çojmë menjëherë në Kongres legjislacion të rëndësishëm, për virusin, ekonominë…ndaj ne do të bëjmë punën tonë dhe Kongresi mund të vendosë për të vijuar të tijën’- tha Biden.
Por, ndërsa mandati i Trump është drejt fundit, nuk është e qartë nëse do të ketë kohë që proces për largimin e tij nga zyra, do të mund të përfundonte në kohë. Pas thirrjeve për largim nga posti, vetë Trump dënoi dhunën, bëri thirrje për pajtim dhe premtoi tranzicion paqësor të pushtetit.
‘Tani Kongresi ka çertifikaur rezultatin. Një administratë e re do të inaugurohet më 20 janar. Fokusi im tani është garantimi i një tranzicioni të lehtë, të rregullt dhe të paqtë të pushtetit’- tha Trump.
Sidoqoftë, Trump ka thënë se nuk do të marrë pjesë ne inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar. “Të gjithë atyre që më kanë pyetur, u them se nuk do të shkoj në ceremoninë e inaugurimit më 20 janar”, shkroi ai.
Top Channel