“Më vjen keq që Trump…”/ Dhuna në Kongres, reagon Merkel: Imazhet më tërbuan dhe trishtuan

07/01/2021 10:56

Kancelarja Gjermane, Angela Merkel ka reaguar me tone të ashpra pas dhunës në Kongresin Amerikan mbrëmjen e djeshme, ku mbështetësit e Trump-it u përpoqën të ndalonin ligjvënësit të numëronin votat elektorale.

Si pasojë e trazirave mbetën të vdekur katër persona, ndërsa Merkel tha se pamjet nga protesta e dhunshme e bënë të ndjehet “e inatosur dhe e trishtuar”.

Ajo thotë se në demokraci ka fitues dhe humbës, duke u shprehur keqardhje që “Trump nuk e ka pranuar akoma humbjen”.

“Imazhet më tërbuan dhe trishtuan. Në demokraci ka fitues dhe humbës. Me vjen shumë keq që Trump ende nuk e ka pranuar humbjen. Ndjekja e dyshimit për rezultatin i bëri të mundura trazirat natën e kaluar”, tha Merkel.

Politikanë në mbarë botën kanë reaguar pas trazirave në Washington, e disa prej tyre folën deri dhe për “sulm ndaj demokracisë“.

“Jam vërtet i shokuar dhe i trishtuar, që kombi ynë – një pishtar dhe shpresë për demokracinë për shumë kohë – ka mbërritur në një pikë kaq të errët,” deklaroi vetë Biden, i cili e përshkroi kongresin e SHBA-së si një tempull të demokracisë. Të vështrosh skenat e sotme në Uashington D.C. është shokuese”, u shpreh ai.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se “armiqtë e demokracisë do të gëzohen nga këto imazhe të papërfytyrueshme nga Uashingtoni. (…) Trump dhe mbështetësit e tij më në fund duhet ta pranojnë vendimin e votueseve dhe të heqin dorë prej shkeljes me këmbë të demokracisë.”

Edhe më i drejtpërdrejtë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në reagimin e tij tha se në Washington po sulmohej demokracia dhe se tani po duket akoma më shumë, sipas tij, sesa e ka përçarë Trump-i vendin. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh se “SHBA në mbarë botën janë simboli i demokracisë e tani është vendimtare, që atje të realizohet një ndryshim paqësor dhe i rregullt i pushtetit.”

Ashpër reagoi dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e kryeministri italian, Giuseppe Conte, i cili shtoi megjithatë se “demokracia amerikane ka rrënjë të thella dhe do ta kapërcejë krizën.”

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se historia do ta mbajë në mend sulmin e sotëm në Kongres si një “një moment të çnderimit dhe turpit të madh për kombin tonë”. George W. Bush, lëshoi një deklaratë mbi “skenat e kaosit” në ndërtesën e Kongresit amerikan, duke thënë se rezultatet e zgjedhjeve kontestohen kështu “në një republikë bananesh, jo në republikën tonë demokratike”.

Top Channel