Qeveria franceze ka mbrojtur politikën e saj të vaksinimit kundër koronavirusit përballë kritikave se ajo po ecën shumë ngadalë me vetëm 516 vaksinime të raportuara në javën e parë.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se vonesa kishte ardhur për shkaqe logjistike: ekipet duhej të vizitonin të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe të merrnin miratimin e secilit prej tyre. BE e nisi vaksinimin me dozat e Pfizer dhe Biontech më 27 dhjetor.
Deri mëngjesin e të hënës rreth 240 mijë persona ishin vaksinuar në Gjermani. Britania e Madhe u bë ndërkohë vendi i parë në botë që filloi ti jepte njerëzve vaksinën e Oxfordit dhe Astrazeneca-s me rreth një milionë njerëz të vaksinuar deri më tani me vaksinën e Pfizer dhe Biontech në Britaninë e Madhe. Qeveria franceze zgjodhi t’i jepte prioritet të moshuarve në shtëpitë e kujdesit.
‘Një fillim më gradual është i nevojshëm për shkaqe logjistike. Nuk mund t’i kërkojmë atyre njerëzve të shkojnë diku tjetër që të bëjnë vaksinën dhe vonesa është e lidhur edhe me konsultimet paraprake dhe me marrjen e lejes për tu vaksinuar. Ndaj edhe është dashur më shumë kohë’ – tha zëdhënësi i qeverisë franceze. Franca është mes vendeve më të goditura nga pandemia.
Numri i viktimave të koronavirusit atje është 65037, duke u renditur pas Italsisë dhe Britanisë së Madhe. Ndërsa sipas mediave vendase, në spitalet franceze po trajtohen aktualisht 24780 pacientë me covid. Franca e nisi vaksinimin të hënën e kaluar, në të njëjtën kohë me vendet e tjera të BE. Holanda është i vetmi vend i bllokut që do ta nisë fushatën e vaksinimit më 8 janar.
Top Channel