Nis paga minimale 30 mijë lekë/ Përfitojnë mbi 251 mijë individë. Shoqata e prodhuesve: Kosto për punëdhënësin

03/01/2021 19:54

Ka marrë zyrtarisht fuqi vendimi i qeverisë për të rritur pagën minimale nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

Sipas Tatimeve, bazuar në analizën e të dhënave në listë-pagesën e shtatorit 2020, si periudha e fundit e mbyllur tatimore rezultojnë në total mbi 251. 5 mijë individë të deklaruar që preken nga ky ndryshim.

Pavarësisht se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, sekretari i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë Arben Shkodra deklaron se kjo do të shtojë kostot për punëdhënësit e sektorit privat. Në kushte të tilla, ai bën apel mbështetje nga qeveria për të reduktuar një pjesë të tyre.

Shqipëria është vendi i dytë në rajon me pagën më të ulët minimale bruto që sipas Eurostat vlerësohet në 213 euro, pas Kosovës që i paguan më pak punonjësit e saj me 130 euro për ato nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.

Në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi paga minimale bruto është përkatësisht 282 euro dhe 331 euro. Ndërsa Serbia ka pagën më të lartë minimale bruto në rajon me 343 euro.

Top Channel