Vret dy motrat në sytë e fëmijëve/ Arrestohet 59 vjeçari, krimi pas sherrit me bashkëjetuesen

31/12/2020 15:10

Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën pak orë përpara ndërrimit të viteve. Përparim Ademi, 59 vjeç qëlloi për vdekje mëngjesin e kësaj te enjteje, bashkëjetuesen e tij dhe motrën e saj.

Viktimat janë Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani. Autori i vrasjes së dyfishtë, menjëherë pas ngjarjes ka lënë armën në banesë dhe është larguar. Vrasja ndodhi pikërisht në katin e tretë të këtij pallati, në zonën e Astirit.

Pas kontrolleve të policisë në zonë, Përparim Ademi, dy orë pas ngjarjes, u vu në pranga dhe u dërgua në Drejtorinë e Tiranës, për tu marrë në pyetje nga grupi hetimor.

Sipas burimeve të Top Channel, krimi i dyfishtë ndodhi për shkak se njëra nga viktimat, bashkëjetuesja e Ademit, ka refuzuar që të qëndrojë me autorin, çka për pasojë ka prodhuar një konflikt të çastit, që çoj në vrasjen e dy motrave.

Ajo çfarë e rëndon me shumë këtë vrasje është fakti, që ka ndodhur në sytë e dy fëmijëve të mitur të viktimave, të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen.

Ndërkaq grupi hetimor, ka marrë në pyetje familjarë të autorit, Përparim Ademit, si dhe familjarët e dy viktimave, për të zbardhur shkaqet e këtij krimi të rëndë në familje. Banorët që i kanë njohur viktimat shprehen se autori dhe bashkëjetuesja e tij, jetonin me qira në zonën e Astirit, dhe se nuk kanë pasur probleme më parë.

Tashmë materialet pritet që t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe vënien përpara drejtësisë së Ademit.

Top Channel