“Shqipëria ka shpresë”/ Ministrja Kushi, urim për fundvit: Të angazhohemi në mësimin online, derisa të marrim dritën jeshile për në auditore

31/12/2020 11:47

Përmes një video-mesazhi, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri, duke shprehur mirënjohje ndaj mësuesve, pedagogëve, nxënëve, studentëve, prindërve e sportistëve, si dhe punonjësve të shkollave e universiteteve, për përballimin e një viti të vështirë dhe të mbushur plot me sfida e të papritura.

“Të dashur nxënës, mësues, studentë e pedagogë! Në këto momente të ndërrimit të viteve, dua t’ju përcjell një mesazh të përzemërt që nuk është thjesht një mesazh urimi, por mbi të gjitha është një mesazh mirënjohjeje për të gjithë Ju, pas këtij viti të vështirë dhe të mbushur plot me sfida e të papritura. Fjalët dhe falënderimet nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen time të thellë, njëkohësisht edhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë shqiptare për ju mësues të dashur që nuk u lodhët dhe nuk u tërhoqët për asnjë moment nga puna në vijën e parë të sakrificës, edhe pse fatkeqësisht humbëm disa nga njerëzit tanë të dashur. Dhe kur gjithçka të ketë përfunduar, e ne t’i jemi rikthyer normalitetit të dëshiruar, asnjëherë nuk do ta harrojmë kontributin tuaj të vyer. Dhe do të jemi gjithmonë krenarë që falë përkushtimit e vendosmërisë suaj, ne arritëm t’i kthejmë të gjithë nxënësit në bankat e shkollës duke siguruar kështu këtë të drejtë bazë, themelore të shoqërisë, e këtë udhëtim kaq të bukur siç është arsimimi. Edhe ju nxënës të dashur që gjatë këtyre muajve të fundit të vitit keni dhënë një shembull të jashtëzakonshëm, duke treguar përgjegjshmëri dhe maturitet në respektimin e rregullave, duke mbrojtur veten tuaj, familjet, mësuesit dhe gjithë të afërmit. Faleminderit të gjithëve nga zemra dhe le të vazhdojmë ta bëjmë këtë sakrificë edhe përgjatë vitit 2021. Të dashur studentë, kolegë pedagogë e punonjës të universiteteve!”- shprehet Kushi.

Më tej shton:

“Një mirënjohje të veçantë edhe për secilin prej jush, sepse unë e kuptoj shumë mirë që sfidat që na solli pandemia në mënyrë të papritur, do të bëheshin akoma më të vështira nëse nuk do të kishim mirëkuptimin dhe përkushtimin tuaj. Prandaj, si një prej jush, unë jua kërkoj me shumë përulësi, që me ardhjen e Vitit të Ri, të vazhdojmë të ruajmë frymën e solidaritetit e të angazhohemi maksimalisht në ndjekjen e mësimit “online” deri në një vendim nga Komiteti i Ekspertëve që i hap dritën jeshile leksioneve nëpër auditore. E si një nënë që i njeh dhe i kupton shumë mirë sakrificat e heshtura, nuk mund të rri pa përcjellë mirënjohjen time ndaj çdo prindi që i ka fëmijët në shkollë apo universitet. Situata nuk është e vështirë vetëm për fëmijët tuaj, por pa dyshim edhe për ju! Prandaj, një lutje të madhe për më shumë durim edhe nga ana juaj, me apelin e kujdesit të shtuar për mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të njerëzve që ju rrethojnë. Të dashur të rinj e të reja! Gëzuar e një vit të mbarë për të gjithë ju që jeni në një nga momentet më kritike të jetës, kur duhet të mendoni e të punoni për të ndërtuar karrierën tuaj. Shqipëria ka shpresë dhe së bashku ne do të punojmë fort që e ardhmja juaj këtu të jetë e sigurt, e që mundësitë për ju të jenë sa më të mëdha e të arritshme”.

Për të vazhduar me:

“Të dashur sportistë! E di shumë mirë që për ju ka qenë akoma më e vështirë këtë vit që të realizoni objektivat tuaja. Por duhet të jemi optimistë, sepse mbështetja jonë për sportin do të vazhdojë, e shumë shpejt ju do t’i riktheheni garave e aktiviteteve sportive, duke na bërë përsëri krenarë si çdo
vit tjetër me arritjet e medaljet tuaja. E së fundmi, edhe viti që po troket mund të mos jetë aspak i lehtë për të gjithë, por ne tashmë jemi më të përgatitur dhe do të punojmë akoma më shumë për ta përballuar me sukses. Kam shumë besim, që të gjithë së bashku, me më shumë solidaritet, më shumë përkushtim, e sidomos më shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe forcë për të ardhmen, ne do t’ia dalim! Ndërkohë, më lejoni të ndaj me secilin prej jush urimin tim më të sinqertë për një Vit të Ri më të mbarë se ky vit që po lëmë pas, me më shumë shëndet e begati në çdo familje e me më
shumë suksese në çdo hap tuajin. Gëzuar me zemër dhe përqafime!”

Top Channel