Nata e ndërrimit të viteve, në datën 31 dhjetor nuk do të festohet njësoj si vitet e kaluara.

Nëse më parë ky shesh mbushej me qytetarë, të cilët shijonin spektaklet e fishekzjarrëve të bashkisë, apo edhe i hidhnin vetë ato, tashmë kjo nuk do të lejohet. Policia ka kërkuar, që qytetarët të shmangin grumbullimet në sheshe apo vende publike dhe pas orës 8 e 30 të mbrëmjes, të qëndrojnë dhe të festojnë në shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë.

“Vitet e tjera kemi dalë, kemi festuar me shoqërinë, ndërsa këtë vit duke qenë se është ora policore, do të festojmë në shtëpi.  Vitet e tjera në kohë normale kemi shkuar nëpër restorante, ndërsa këtë vit, do të festojmë në shtëpi.  Në shtëpi do festojmë për shkak të orës policore. Vitet e tjera kemi dalë me shoqërinë, kemi kaluar mirë, ndërsa këtë vit, do të qëndrojmë në shtëpi”, shprehen qytetarët.

Krahas orës policore, policia e shtetit ka marrë masa shtesë për shmangien e incidenteve të mundshme.

Që prej vitit të shkuar, hedhja e fishekzjarrëve nga qytetarët është bërë duke marrë një leje të posaçme në polici, ndërsa këtë vit, sipas burimeve zyrtare nuk do të jepet asnjë leje për hedhjen e tyre apo lëndëve të tjera piroteknike. Të vetmet që do të organizojnë spektaklet e fishekzjarrëve do të jenë bashkitë dhe subjektet e licencuara.

Ndërkaq, është planifikuar që të vendosen një sërë patrullash policie, në pikat kryesore të kryeqytetit, por edhe në rrethet e tjera, me qëllim që qytetarët të respektojnë orarin e karantinës dhe të shmangin grumbullimet.

Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj bareve dhe restoranteve, ku janë vendosur një sërë gjobash me nga 10 milionë lek secila, për subjektet të cilat kanë qëndruar hapur edhe pas orës 8:30 të mbrëmjes. Të njëjtat kontrolle do të ushtrohen edhe mbrëmjen e 31 dhjetorit. Gjoba do të vendosen edhe për qytetarët, të cilët nuk do të respektojnë masat antiCovid, të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Top Channel