“Donin të dilnin nga xhami, i binin me grushte”/ Fier, rrëfimi tronditës i banorit për aksidentin ku humbën jetën burrë e grua

28/12/2020 11:46

Mbi aksidentin tragjik, që ndodhi mëngjesin e sotëm në afërsi të Levanit, ku humbi jetën një çift bashkëshortësh ka dhënë dëshminë e tij tronditëse një banor i zonës.

Në rrëfimin shokues, personi në fjalë tregon se si u përpoq t’i nxirrte viktimat nga uji dhe t’i shpëtonte, por ishte tepër vonë. Burrë e grua kishin ndërruar jetë.

“Aksidentin nuk e pashë. Më mori në telefon dikush (i përmend emrin) hajde me zetor. Vij brenda dhjetë minutash këtu te vendi i ngjarjes. (Pyes) Ku është makina? Ka rënë brenda në ujë. Po personat ku janë? Janë brenda. Në këtë kohë marr papagallin e zetorit, futem te xhami mbrapa, e godas edhe i nxjerr personat, i vë litarin makinës dhe e nxjerrim lart pastaj. Personat ishin mbytur”, tregon banori, duke shtuar se personi që i telefonoi, i cili ishte dëshmitar i aksidentit, i tregoi se viktimat donin të dilnin nga xhami mbrapa, i binin atij me grushte.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7:20, në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë pakujdesia e drejtuesit të mjetit, si dhe mungesa e sinjalistikës në rrugë. Viktimat janë Nue Preçi, 62 vjeç dhe Pashke Malçi, 61 vjeçe nga fshati Shtyllas, njësia administrative Levan. Ata ishin duke shkuar te vajza në Qarr. Mjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar ne kanalin kullues, i cili është i tejmbushur si pasojë e reshjeve të shumta. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje dhe po heton rreth shkaqeve të aksidentit me pasojë vdekjen e dy bashkëshortëve.

Rruga që të çon në disa fshatra të njësisë administrative Levan është pjesë e rrugëve të reja që janë ndërtuar pas përfundimit të by-pass-it të Levanit. Në këtë aks rrugor ndodhin shpesh aksidente, pasi ka mungesë të ndriçimit dhe sinjalistikës rrugore.

Top Channel