2 mijë vjet më vonë/ Zbulim i rrallë në Pompei, arkeologët gjejnë një “fast food”

27/12/2020 14:40

2 mijë vjet pasi Pompei u shkatërrua nga shpërthimi vullkanik, një zbulim i rrallë është bërë në qytetin e lashtë romak: një dyqan “fast food-i” i asaj kohe termopolium është gjetur i paprekur dhe vitin që vjen, do të hapet për publikun.

Mendohet se në këtë dyqan shërbeheshin ushqime të ngrohta dhe pije për banorët e Pompeit. Në fakt, termopoliumi, siç shpjegojnë mediat e huaja ka dalë në dritë gjatë gërmimeve vitin e kaluar, por u njoftua vetëm tani.

Shpërthimi shkatërrimtar i Vezuvit e varrosi Pompein nën një shtresë të trashë llave e hiri, e cila ndihmoi nga ana tjetër që ai të ruhej në masë të madhe i paprekur, duke u kthyer në një burim të paçmuar për arkeologët. Vazo terrakota të përdorura për ushqimin e ngrohta janë gjetur në termopolium, ndërsa pjesa e përparme e banakut të tij është zbukuruar me afreske me ngjyra të ndezura, disa prej të cilave paraqesin kafshë që ishin pjesë e përbërësve të ushqimit të servirur aty.

Drejtori i parkut arkeologjik të Pompeit, Massimo Ossana, e përshkroi këtë si një zbulim të jashtëzakonshëm, duke theksuar se është hera e parë që gjendet një termopolium i plotë, i ruajtur për më tepër në kushte kaq të mira.

Top Channel